Blendi Fevziu tregon momentin më të vështirë të jetës së tij
Teksa ishte i ftuar në emisionin “Të Pa-ekspozuarit” Blendi Fevziu ka rrëfyer një nga momentet më të vështira që ka kaluar në jetë. Gazetari tregoi se ishte vetëm 11 vjeç kur i ati bëri bisedën e parë serioze me të. Babai i ka treguar Blendit se rrezikonte burgun dhe i ka besuar motrën dhe nënën e tij.
“Mbaj mend një moment. Duhet të kem qenë 11 vjeç. Im atë më tha :’Do të dalim pak bashkë’. Prindërit atëherë ishin shumë të rëndë. Po ecnim në një rrugë të errët dhe kisha idenë do të përfundonim te akulloret. Ai më tha :’Do të them një gjë’, me ton serioz. Më tha: ‘Ka mundësi të më arrestojnë, mund të kem probleme, kanë arrestuar një mikun tim. Ti duhet të kujdesesh për mamin dhe për motrën’. Motra ishte katër vjeç. Unë në atë moment, befas, e mora me dramacitet të madh, me idenë mua do të më ngelet shtëpia. Mendova, duhet të mendoj për shtëpinë, si do të zgjidhja unë problemin. M’u duk si përgjegjësi. Kur e mendoj sot, t’i them unë vajzës ti do të kesh shtëpinë. Sot një njeri nuk e kupton dot. Në atë moment, e harrova akulloren, u ktheva në shtëpi dhe doja të takoja një shok t’ja thosha atij, se si duhet zgjidhur kjo. Nuk e arrestua dhe nuk m’u desh ta kisha këtë barrë, por shumë herë në jetën time jam detyruar të marr vendime sepse jetoja larg prindërve dhe duhet të merrja vendime që nuk kisha kohë. E vetmja mënyrë për të marrë vendime ishte instikti. Gjithmonë kam menduar që nuk duhet të jesh proteksionist me fëmijët sepse i bën të pazotë”- u shpreh gazetari.