Sorry, no posts matched your criteria.

Behije Tufa: Kur pasioni bëhet forcë

Në një kohë kur suksesi lidhet me fokusin në një drejtim të vetëm, Behije Tufa është dëshmia se pasioni mund të udhëheqë më shumë se një rrugë. Menaxhere e “Farmaci Duka 17” por edhe e Agjensisë ‘Ambra Event”, Behija njihet gjithashtu edhe si autore e pesë librave duke krijuar një ekuilibër të jashtëzakonshëm mes botës së shëndetit, emocioneve dhe krijimtarisë. Këto fusha bashkohen përmes një elementi të përbashkët që e udhëheq në çdo hap: kujdesi për njerëzit. Në këtë intervistë ekskluzive për Global Ëoman, Behije ndan me ne filozofinë e saj të punës, mënyrën si ka ndërthur teknologjinë me ndjeshmërinë, dhe sfidat e të menaxhuarit dy biznese të ndryshme. Ajo flet me sinqeritet për rolin që luan familja, fuqinë e mbështetjes dhe frymëzimin që gjen tek gratë që ecin përpara, pavarësisht pengesave. Si një zë i fuqishëm edhe në letërsi, me pesë libra të botuar që prekin tema të jetës, vetëreflektimit dhe forcës së brendshme, Behija dëshmon se fjalët kanë po aq peshë sa veprat.

Ju jeni e angazhuar në dy fusha që në pamje të parë duken shumë të ndryshme farmacia dhe organizimi i eventeve. Si mund të lidhen këto dy aktivitete për të krijuar një përvojë të veçantë për klientët?

Edhe pse duken të largëta, që të dyja kanë në qendër kujdesin për njerëzit. Farmacia përfaqëson kujdesin për shëndetin fizik, ndërsa organizimi i eventeve krijon përvoja që ndikojnë në mirëqenien emocionale dhe sociale. Duke organizuar evente informuese mbi shëndetin, bukurinë apo mirëqenien, krijojmë një urë lidhëse mes të dyjave ku edukimi dhe përvoja emocionale bashkëjetojnë.

A ka ndonjë mënyrë konkrete se si një biznes mund të promovojë tjetrin?

Absolutisht po. Eventet janë një mundësi fantastike për të promovuar shërbimet apo produktet e farmacisë përmes këshillimeve në vend, demonstrimeve live, apo paketave promocionale. Ndërsa klientët e farmacisë shpesh janë njerëz që vlerësojnë kujdesin ndaj vetes dhe mund të jenë pjesëmarrës të natyrshëm në evente që kanë të bëjnë me stilin e jetesës së shëndetshme, bukurinë apo relaksin.

Si ia dilni të menaxhoni kohën për të siguruar që të dy bizneset funksionojnë pa probleme?

Organizimi është baza. Kam një planifikim të mirëjavshëm dhe përdor mjete teknologjike për të koordinuar gjithçka. Po ashtu, kam krijuar një ekip të besuar në të dyja anët, që më ndihmon të mos e mbaj gjithë barrën vetë. Pa këtë mbështetje dhe strukturë, do ishte shumë më e vështirë.

Cili nga të dy është më impenjativ për ju?

Farmacia kërkon angazhim konstant, pasi është një biznes që funksionon çdo ditë dhe ka të bëjë me shëndetin e njerëzve pra përgjegjësia është më e madhe. Organizimi i eventeve ka periudha të caktuara intensive, por është më fleksibël në ritëm.

A keni mbështetje nga familja në këtë rrugëtim të dyfishtë?

 Po, shumë. Pa familjen, nuk do ishte e mundur të arrija kaq larg. Më ndihmojnë praktikisht dhe më japin motivim emocional. Janë gjithmonë aty, qoftë për të ndihmuar në detyra konkrete, qoftë për të më qëndruar pranë në momente lodhjeje.

Kush ju frymëzon më shumë në punën tuaj?

Më frymëzojnë gratë që nuk ndalen përballë vështirësive  ato që arrijnë të krijojnë diçka me pasion dhe të ruajnë ekuilibrin mes jetës personale dhe punës. Kam pasur modele të tilla afër vetes dhe çdo ditë më motivojnë të bëhem më e mirë.

Dhe në fund, cila është ëndrra juaj më e madhe?

Të krijoj një hapësirë gjithëpërfshirëse ku farmacia, mirëqenia dhe bukuria të vijnë bashkë  një qendër ku njerëzit të marrin jo vetëm shërbim, por edhe frymëzim dhe ndjesi komuniteti. Dua që kujdesi për veten të mos jetë vetëm fizik, por një përvojë e plotë, njerëzore dhe positive.

Behije Tufa – Shkrimtare e pesë veprave që pasqyrojnë realitetin shoqëror, adoleshencën dhe sfidat moderne

Behije Tufa është gjithashtu autore që vjen me një zë të veçantë në letërsinë shqipe. Me një fokus të thellë në sfidat e shoqërisë bashkëkohore, jetën e adoleshentëve dhe ndikimin e faktorëve socialë, familjarë dhe teknologjikë në formësimin e individit, ajo ka botuar pesë vepra në zhanre të ndryshme dramë, komedi, roman dhe studim shkencor – duke treguar një gamë të gjerë krijuese dhe përkushtim ndaj temave me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën reale.
Veprat e saj :
“Eda” – Një dramë që trajton bullizmin si një fenomen i përhapur në moshën e adoleshencës. Një vepër që ndriçon plagët e fshehta të dhunës psikologjike dhe pasojat që lë tek të rinjtë.
“Jeta e vështirë” – Dramë sociale që sjell në skenë disnivelin ekonomik dhe shoqëror dhe ndikimin që kjo pabarazi ka në jetën, edukimin dhe vetëbesimin e të rinjve.
“Sa afër, aq larg” – Komedi me mesazh të thellë, që pasqyron varësinë nga rrjetet sociale dhe largimin e njeriut nga marrëdhëniet e sinqerta në botën reale. Një vështrim kritik ndaj kohës së teknologjisë, ku afërsia është vetëm iluzion.
“Unë në trenin me tre vagona” – Një studim historik, letrar dhe gjuhësor, që përshkon udhën e zhvillimit tê letêrsisě dhe të gjuhës nê periudhên historike 1900-2025 dhe mendimit letrar shqiptar, me një qasje studimore e reflektuese historike.
“Ëndrra pa receta” – Roman psikologjik që sfidon konceptin tradicional të prindërimit dhe edukimit, duke theksuar nevojën që fëmijët të ndjekin prirjet dhe aftësitë e tyre, dhe joprojektimet e prindërve mbi të ardhmen e tyre
Behije Tufa shkruan me ndjeshmëri, vëmendje dhe realizëm. Ajo ngre pyetje thelbësore dhe provokon reflektim – për të rinjtë, prindërit, arsimtarët dhe të gjithë ata që janë pjesë e shoqërisë së sotme në ndryshim të vazhdueshëm.

“Pas romanit psikologjik “Ëndrra pa receta”, Behije Tufa po përgatit projektin e saj më të afërt letrar një libër me poezi, një udhëtim i ndjerë nëpër ndjesi, reflektime dhe shpirtin e fjalës së lirë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com