Bashkëjetesa e aktorit të njohur me Parkinsonin: Dua të vdes në gjumë!
Aktori dhe aktivisti i famshëm Michael J. Fox ka folur së fundmi për “Sumday Times” rreth vdekjes, duke ndarë me lexuesit mendimet dhe përjetimet e bashkëjetesës 35-vjeçare me sëmundjen e Parkinsonit.
“Dua thjesht që një ditë të mos zgjohem dot më. Do të ishte fantastike. Nuk dua që vdekja ime të jetë dramatike. Nuk do doja të përplasesha tek mobiliet e të godisja kokën” – shprehet ikona e filmit “Back to the Future”, në një rrëfim të gjatë.
Michael J. Fox u diagnostikua me sëmundjen neurodegjenerative kur ishte vetëm 29 vjeç, në vitin 1991. Për shkak të Parkinsonit, gjendja e trurit sa vjen e përkeqësohet, ndërsa simptomat fizike mund të përfshijnë dridhje të pavullnetshme, lëvizje të ngadalta apo edhe probleme me qëndrimin.
“Nuk është se po kaloj nëpër disa faza, siç mund të ndodhë për shembull me kancerin e prostatës. Sëmundja ime është shumë më misterioze. Mund të eci, por nuk është dhe aq bukur dhe është e rrezikshme” – shprehet Fox referuar sëmundjes.
Bëjmë me dije se Michael J. Fox është i impenjuar në fondacionin e tij “Michael J. Fox Foundation for Parkinson’s Research”, të krijuar në vitin 2000, pikërisht për të ndihmuar në njohjen sa më shumë të kësaj sëmundjeje dhe ndihmën e personave të cilët vuajnë prej saj.
Së fundmi aktori ka publikuar librin e tij të ri “Future Boy”, ku ka shkruar për periudhën gjatë së cilës ishte protagonist i “Family Ties” dhe filmit “Back to the Future”. Ai gjithashtu, pasi shpalli tërheqjen nga aktrimi për shkak të sëmundjes shumë vite më parë, tashmë është rikthyer si aktor i ftuar në sezonin e tretë të “Shrinking”.
Michael J. Fox ka 4 fëmijë, 1 djalë dhe 3 vajza, që kanë ardhur në jetë nga marrëdhënia 37-vjeçare me bashkëshorten Tracy.

