
Anxhela Faber:The Beginning is Now!
Atë e njohin si vajza që “lufton” hackerat e që e njeh shumë mirë botën virtuale, por ne në këtë intervistë duam ta njohim thjesht. ANXHELA FABER. Është fillim viti, kemi lënë pas një vit të ngarkuar (edhe për Anxhelën mesa duket paska qenë i tillë) dhe kemi marrë disa përgjigje të thjeshta, të sinqerta dhe veçanërisht të shpejta (Anxhelën nuk e morëm 10 herë në telefon për ta rikujtuar për kthimin e përgjigjeve) sepse ajo e di dhe e njeh mirë sensin e kohës. Ndaj dhe punon fort e është si një “orë” që nuk di të ndalet. Punon për vete, për familjen e saj dhe mbi të gjitha për Sian e saj të vogël, e cila siç e quan Anxhela dritën e syrit ashtu dhe vogëlushja (e për këtë jemi të bindur) sheh tek ajo gruan e fortë që do dëshironte të bëhej kur të rritej…
-Anxhela si ishte 2024-ta për ty?
Ka qenë sfidë më vete, një miks i kaq shumë ngjarjeve dhe sfidave saqë në një moment reflektimi në dhjetor po mendoja sa i shkurtër dhe i gjatë ka qenë ky vit. E them me bindje se ka qenë një vit mësimi. Kam kuptuar se më e rëndësishmja është të duash veten dhe të rrethohesh nga energji pozitive që të shtyn përpara sepse e kundërta të lë në vend dhe nëse nisesh me shpirtin e pastër dhe me qëllimin e mirë gjithnjë cdo sakrificë apo mund të shpërblehet në formën më të bukur të munde
shme… Ishte vit i bukur, vit lufte por i bukur dhe jam shumë e lumtur që shkoi pikërisht kështu s’do ndryshoja asnjë presje.
-Mund të më ndash një moment magjik dhe një moment të vështirë të tij?
Një moment magjik mund të them se ka qenë ditëmindja e Sias. Ajo bëri 5 vjeç në 2024 dhe përjetimi i saj që mbushi 5 vjeç ka qenë nga momentet më të bukura. Energjia e saj aq e pastër që i dukej vetja e madhe… Bisedat me të, realisht i jam falenderuese zotit që më ka bërë të jem mami i saj. Ndërsa momenti i vështirë, le të themi që ka patur disa sepse siç e thash ka qenë vit i mbushur plot me ngjarje, mediat online shpesh kanë shkelur privatësinë time me artikuj për ngjarje në jetën time private jo të bukura, dhe kjo me ka lënduar. Por për hir të energjisë pozitive s’dua të ndaloj këru sepse mendoj që e mira duhet të prevalojë.
-Po në biznesin tënd si shkuan gjërat këtë vit dhe cilat janë synimet në 2025-ën?
Në fakt unë gjithnjë kur flas kam parasysh kryesisht biznesin sepse e kam jo thjesht biznes por edhe pasion (qesh). Në punë ka qenë një vit i mbarë pasi “Faber Media” u lancua dhe u identifikua në treg si platformë mediatike distributimi. Kemi rritje kërkesash për bashkëpunim dhe një qasje shumë pozitive nga pikëpamja e besimit që klientët kanë. Në 2025 kemi fokus dyfishimin e asaj që realizuam në 2024, rritjen e prezencës mediatike dhe pse jo një hap tjetër të madh që nuk e ndaj dot në këtë moment sepse eshte ende në fazë konceptimi.

-Ndjen konkurrencë tani që je në Shqipëri sa i takon biznesit?
Unë konkurrencën e ndjej gjithnjë por vetëm me veten (qesh). E di që mund të duket klishe por kjo është e vërteta. Mendoj që nëse punon dhe jep më të mirën ka gjithnjë vend tregu.
-Kam përshtypjen që jeta jote tani është stacionuar vetëm në Tiranë dhe Gjermaninë e sheh si diçka të largët. Apo është thjesht perceptimi im?
Jo në fakt jeta ime nuk stacionohet dot vetëm në Shqipëri për arsye se kompania ime dhe motorri i asaj me të cilën ne zhvillojmë shërbimet tona është në Gjermani. Në Shqipëri ne kemi bazën e fortë të klientelës por këtij tregu shqiptar ne arrijmë ti sherbejmë vetëm nga infrastruktura e ngritur në Gjermani, pasi një kompani shqiptare nuk ka dot ende akses në platformat e mëdha mediatike online për të kryer distributimin dhe menaxhimin e kontentit. Unë personalisht jam e detyruar të kaloj një pjesë të madhe të kohës në Shqipëri në mënyrë që të siguroj mbarëvajtjen e proçeseve për klientët tanë.
-Është vënë re gjithashtu një miqësi e jotja me motrat Vjollca, njiheshit më parë apo shpërngulja në Tiranë ju ka afruar më shumë?
(Qesh) Kam vite që njihem më saktë me Luanën ka filluar miqësia që në vitin 2016. Në fillim kemi qenë bashkëpunëtore pastaj u lidhëm shumë në miqësi, edhe me Marinën gradualisht. Janë vajza punëtore, me vizion e me ambicje…
-Si është Sia, vijon ta mbash larg imazhin e saj në rrjetet sociale. Pse kjo zgjedhje apo ngaqë i njeh mirë preferon mos ta përfshish vajzën në këtë vorbull mediatike dhe sociale?
Ne jetojmë në një kohë që aq sa duket e thjeshtë aq edhe unë e shoh pak si komplekse e të vështirë në këtë pikë. Meqënëse e njoh botën e online-it e shoh shumë të pakontrolluar në shumë gjëra, ka njerëz që kanë tendencën për ligësi dhe duke i dhënë imazhe ti i jep akses. Sia për mua është drita e syve dhe tendenca ime është ta mbaj larg syrit publik që unë të jem e qetë. Dua që ajo të shijoj një fëmijëri të thjeshtë në botën e saj, pastaj kur të rritet të vendos vetë nëse i pëlqen ekspozimi ose jo.
Cilat janë pasionet e saj dhe sa e ndjek ti me gjithë angazhimet e tua?
Sia tani është 5 vjeç, ka pak muaj që po e studioj që të kuptoj cfarë ka qejf ajo. Kam vënë re që është natyrë ekspresive, (cakmak nganjeherë si unë (qesh)) dhe e shoh që nëse e bën diçka ose e bën me super pasion ose fare, do e aktivizoj në mësime pianoje gjatë 2025. Mundohem të jem prezente sa më shumë, cdo darkë jam me të duke diskutuar për ditën e saj por është e vërtetë që në thelb e kam sfidë kohën, me llojin dhe peshën e punës që kam. Nganjëherë ndihem në faj sepse mendoj se mos nuk po kaloj mjaftueshëm kohë sa do doja… Nga ana tjetër them po më mirë të lodhem sot dhe ajo të ketë këtë shembull në familje siç pata unë nënën time kur më rriti. Në një farë mënyre prandaj e kam të injektuar punën sepse jam rritur me modelin e një gruaje të palodhur dhe të përkushtuar për të mbajtur në shtëpi një standard të mirë jetese. Se di… për këtë pikë do flisja shumë…
-Sa e lehtë është jeta për një mam “single” në Shqipëri?
Jo vetëm në Shqipëei por kudo jeta e një “single mum” është pak sfiduese në lidhje me menaxhimin e kohës, por kaq cdo gjë tjetër mua më shkon shumë mirë. Për shumicën e grave që i rrisin fëmijët e tyre vet (flas nisur nga statistikat) pjesa më e vështirë është ajo financiare. Unë këtë problem nuk e kam dhe këtu po përfitoj nga rasti të ndaj një mesazh ashtu siç e ndiej: Unë më mirë punoj 24/7 lodhem dhe fle e qetë se sa të rri në një marrëdhënie me kompromis. Sot asgjë nuk jepet falas dhe askush nuk ta dhuron suksesin. Marrëdhëniet e bazuara në kompromis kërkojnë shkelje dinjiteti të cilën unë nuk e toleroj dot prandaj kam zgjedhur ta rris vajzën time vete dhe mbi këto parime. Asgjë nuk është e pamundur apo e vështirë.

-Në zemrën tëndë momentalisht ka vend vetëm për Sian?
(Qesh) Ah kjo pyetja… Në fakt po, e vërteta është që aktualisht në zemrën time ka vend vetëm për Sian. Se çfarë do të sjellë e ardhmja mbetet për t’u parë…
-Cfarë pret nga 2025…
Kam marrë një vendim drastik, nuk pres më asgjë nga askush, pres vetëm që zoti të na ruaj shëndetin dhe pjesën tjetër e pres nga vetja. Kam arritur në këtë konkluzion sepse kështu të paktën ruaj veten e nuk zhgënjehem (qesh).
2025-a ka hyrë me një super energji pozitive dhe e ndjej që kështu do të shkojë . (Qesh)
P.S Faleminderit shumë për hapësirën dhe është kënaqësi të jesh pjesë e platformës tuaj që dhuron një akses shumë të veçantë për të forcuar rolin dhe prezencën e gruas në shoqëri.