Sorry, no posts matched your criteria.

Realizohet “teletransporti” i parë kuantik, do të jetë baza për internetin e jashtëzakonshëm të së ardhmes

Studiuesit e Universitetit të Shtutgartit kanë arritur një hap të rëndësishëm në fushën e komunikimit kuantik, duke realizuar me sukses transferimin e parë të informacionit kuantik midis fotonëve të gjeneruar nga burime të ndryshme.

Eksperimenti, i publikuar në “Nature Communications, u krye përmes një lidhjeje me fibër optike rreth 10 metra të gjatë, duke dëshmuar se shkëmbimi i të dhënave kuantike mund të ndodhë pa ndërprerje dhe pa humbje informacioni.

Në komunikimet klasike, distancat e gjata shpesh përballen me rrezikun e dobësimit të sinjalit, çka zgjidhet me amplifikatorë të vendosur përgjatë rrjetit. Por në botën kuantike situata është shumë më delikate: për teletransportimin e informacionit kërkohet që burimet e dritës të prodhojnë fotonë pothuajse të padallueshëm. Pikërisht këtë sfidë ka arritur ta kapërcejë ekipi hulumtues i udhëhequr nga Dr. Tim Strobel.

Studiuesit përdorën “pikat kuantike”, pra nanostruktura të krijuara nga materiale gjysmëpërçuese, të cilat janë të afta të emetojnë impulse drite me frekuenca jashtëzakonisht të sakta. Falë kësaj teknologjie, fotonët e prodhuar nga burime të ndryshme rezultuan praktikisht identikë, duke e bërë të mundur transferimin e qëndrueshëm të gjendjeve kuantike.

Efikasiteti i teletransportimit arriti mbi 70%, një rezultat mbresëlënës ky, veçanërisht duke marrë parasysh se eksperimenti u realizua me kabllo standarde me fibër optike, të njëjtat që përdoren edhe në infrastrukturat e sotme të internetit.

Ky zhvillim forcon edhe më shumë perspektivën se interneti i së ardhmes, pra rrjeti kuantik mund të ndërtohet pa pasur nevojë për një infrastrukturë krejtësisht të re, por duke u mbështetur në rrjetet ekzistuese të fibrave optike.

Për komunitetin shkencor, ky është një hap i madh drejt komunikimit shumë të sigurt dhe sistemeve të avancuara të përpunimit të informacionit.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com