Nga një Harry Potter te një Harry Potter tjetër. Çfarë i shkroi Daniel Radcliffe “magjistarit” të ri?
Ndonëse shumë fansa të vjetër të historisë së Harry Potter anembanë botës nuk mund ta pranojnë dot risjelljen e saj me aktorë të rinj që do të personifikojnë idhujt e tyre magjikë, ata nuk mund t’i ndalojnë dot prodhimet e reja.
Aktori Daniel Radcliffe, ai që ka portretizuar Harry Potter-in e famshëm për 10 vite e di shumë mirë vështirësinë për të marë këtë rol dhe peshën që ka emri i Harry-t, për këtë arsye ka vendosur t’i shkruajë një letër inkurajuese aktorit 11-vjeçar Dominic McLaughlin, që do ta portretizojë magjistarin me syze në serialin që do të publikohet në HBO.
Ka qenë kjo letër një surprizë shumë e bukur për aktorin e ri, i cili para se të niste xhirimet për serialin, ka marrë një mesazh të sinqertë kurajoje dhe mbështetjeje nga Harry “i vjetër”. Jo një listë me këshilla apo një “lënie testamenti”, thjesht disa fjalë të bukura si për të thënë se bota e Harry Potter mund të rinovohet pa e humbur identitetin dhe se magjia e tij do të vazhdojë të mahnisë nëse trashëgohet nga njerëzit e duhur.
“Shpresoj që të kënaqesh shumë. Unë jam kënaqur për vete, por dua që ti të kënaqesh edhe më shumë se unë.” – ka shkruar shkurt Daniel në letrën për 11-vjeçarin.
Radcliffe ka theksuar disa herë se dëshiron të ruajë një distancë nga prodhimi i ri, më shumë në rolin e një miku sesa të jetë prezent gjatë xhirimeve për të dhënë këshilla. Ai dëshiron ta lërë gjithçka në dorë të brezit të ri, që të ruajnë origjinalitetin e tyre.
Harry i ri Dominic McLaughlin, karriera e të cilit sapo ka niur, ka pranuar me entuziazëm këtë rol, në projektin që do të përshtasë çdo libër të autores J.K. Rowling, në një sezon përkatës televiziv. Në rolin e Hermione Granger do të jetë Arabella Stanton, ndërsa Ron Weasley do të luhet nga Alastair Stout. Një shans i madh ky për këta aktorë të rinj, që të bëjnë fansat e vjetër të Harry Potter të dashurohen me ta dhe të tërheqin fansat e rinj, për ta bërë sa më magjik kështu Hoguarts-in e tyre.