VIP-at dhe “moda” e klonimit të kafshëve shtëpiake që nuk jetojnë më
Ish-lojtari i famshëm i futbollit amerikan, Tom Brady ka klonuar qenin e familjes së tij.
Mund të duket si një lajm “fantashkence”, ama ka qenë ai vet që ditët e fundit ka zbuluar se Junie, qeni aktual që ka është klon i qenit të mëparshëm të familjes Lua, të cilin e mbante me ish-bashkëshorten Giselle Bundchen.
Për ta realizuar këtë gjë, legjenda e futbollit amerikan i kërkoi ndihmë kompanisë “Colossal Biosciences”, e cila e konsideron veten si kompania e vetme që arrin të klonojë gjallesat. Së fundmi ajo ka blerë një tjetër kompani bioteknologjie që ka një historik të gjatë klonimesh të qenve të personazheve të famshëm. Këtu mund të përmendim Paris Hilton apo Barbara Streisand, e cila madje e ka klonuar 2 herë qenin e saj të dashur.
“Disa vite më parë, unë punova me “Colossal” dhe shfrytëzova teknologjinë e tyre joinvazive të klonimit, përmes një analize të thjeshtë gjaku të qenit të moshuar të familjes sonë, përpara se ajo të ndërronte jetë.” – u shpreh Brady.
Madje ai shprehet se kjo është një formë shumë e mirë për të ndihmuar familjet që kanë humbur kafshët e tyre shtëpiake, por edhe për të shpëtuar kafshët në rrezik zhdukjeje.
Kompania me teknologji të avancuar pretendon edhe se ka klonuar ujqër të frikshëm të lashtë, por Philip Seddon, një professor i Universitetit të Otagos në Zelandën e re shprehet se ata janë thjesht ujqër gri të modifikuar gjenetikisht. Por sa kushton një procedurë e tillë për këdo që kërkon “të kthejë në jetë” kafshën e tij të dashur shtëpiake? Epo, në vitin 2016 kjo ka kushtuar 50.000 dollarë, çka do të thotë se duke marrë parasysh se jemi thuajse 10 vite më pas, e sigurt që shuma do të jetë rritur, si pasojë e inflacionit e arsyeve të tjera.