OBSH ngre alarmin: 1 në 4 fëmijë në Europë është mbipeshë, prindërit neglizhojnë!
Një në katër fëmijë në Europë është mbipeshë për shkak të çrregullimeve në të ushqyer dhe mungesës së aktiviteteve fizike, çka sjell pasoja të rënda në shëndet.
Këto të dhëna përkeqësohen nga nënvlerësimi masiv i fenomenit, pasi në dy të tretat e rasteve, prindërit e fëmijëve mbipeshë i shohin ata si normalë ose nënpeshë.
Alarmin e ngre Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila pas survejimit që i është bërë 470.000 fëmijëve të moshës 6 deri në 9 vjeç në 37 vende të ndryshme, arrin në konkluzionin se 25% e tyre janë mbipeshë., 11% prej të cilëve janë obezë.
Djemtë janë më të prekur se vajzat dhe në disa prej vendeve të Europës Jugore, thuajse 1 në 5 fëmijë është obez.
Raporti në fakt evidenton dhe bashkëjetesën paradoksale mes mbipeshës dhe keqyshqyerjes, çka është pasqyrë e ndryshimeve të theksuara ndër vendet europiane.
Për sa i përket zakoneve të këqija në të ushqyer, raporti tregon se vetëm 46% e fëmijëve konsumon fruta të freskëta çdo ditë dhe 32% ha perime të paktën një herë në ditë. Nga krahu tjetër, 41% konsumon ëmbëlsira, 29% pije të sheqerosura dhe 16% produkte të kripura më shumë se 3 herë në javë.
Ndërsa, kur bëhet fjalë për aktivitet fizik, 53% e fëmijëve shkon në shkollë në këmbë ose me biçikletë, kurse 40% përdor mjete motorrike.Thuajse 9 nga 10 fëmijë flenë rreth 9 orë natën, por më pak se gjysma e tyre arrijnë 10 orët e rekomanduara.