Luftë edhe në paqe! Sulmet e Izraelit shkaktojnë 100 viktima në Gaza, 35 janë fëmijë…
Mesa kuptohet nga orët e fundit, armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit ka mbetur vetëm në letër.
Kryeministri izraelit Beniamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë për një sulm të fuqishëm dhe të shpejtë në Rripin e Gazës, pasi akuzoi Hamasin se kishte shkelur marrëveshjen e paqes. Sipas zyrtarëve të Izraelit, Hamas ka dorëzuar të hënën mbetjet e një pengu, trupi i të cilit në fakt ishte marrë që ditë më parë. Gjithashtu Izraeli akuzon Hamasin edhe se ka kryer sulme ndaj forcave izraelite. Kjo gjë ka shkaktuar zemërimin e Izraelit, që në sulmet e fundit ka shkaktuar të paktën 100 të vdekur, dhjetëra prej të cilëve janë fëmijë. Menjëherë pas sulmit, Tel Avivi i është rikthyer armëpushimit të arritur.
Mediat palestineze informojnë se sulmet kanë ndodhur në një zonë afër një spitali ende funksional në qytetin e Gazës.
Nga ana tjetër, sipas mediave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin informuar për sulmin. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, pavarësisht ngjarjeve të fundit është optimist se armëpushimi do të jetë i fortë. “Armëpushimi po qëndron në këmbë. Unë mendoj se paqja në Lindjen e Mesme do të rezistojë, pavarësisht përleshjeve.” – shprehet JD Vance.