Meriton Mjekiqi: Pas Big Brother nuk kam folur dot me djalin, e ëma shfrytëzon faktin që ai është autik
Mbrëmjen e djeshme, në programin “Goca dhe Gra” në Top Channel ka qenë i ftuar moderatori dhe ish-banori i Big Brother, Meriton Mjekiqi, i cili ka folur për disa aspekte të ndryshme të jetës së tij, nga dashuria, projektet profesionale e deri te marrëdhënia me djalin e tij 7-vjeçar, të cilin sipas tij ka kohë që nuk mund ta takojë.
I pyetur nga një prej moderatoreve se si ndihet ai ta shohë djalin të rritet larg atij, Meritoni është përgjigjur se për këtë arsye vazhdon beteja e tij ligjore me ish-partneren.
“Problemet e mia vazhdojnë të jenë konkrete me nënën e djalit. Për momentin kam humbur çdo kontakt, nuk kam as ndonjë numër telefoni ku mund t’i qasem e të kuptoj se si e kam djalin. Ai tashmë ka mbushur 7 vjeç dhe patjetër që më mungon, prandaj do të vazhdoj të kërkoj të drejtën deri në fund për ta parë atë.” – është shprehur ish-banori i BB, me mërzitjen që i duket qartazi në fytyrë.
Ai shprehet se gjyqet do të vazhdojnë dhe sa herë të jetë e nevojshme do të jetë prezent për ta zgjidhur këtë çështje ligjërisht, pasi ndihet i lodhur duke qenë i detyruar të qëndrojë larg fëmijës së tij.
“Edhe nëse unë kam qenë partneri më i keq në jetën e saj, fakti që jemi ndarë domethënë që nuk kemi qenë mirë me njëri-tjetrin. Ajo ka zgjedhur rrugën e saj, unë kam zgjedhur timen, por të drejtën me djalin nuk mund të ma mohojë. Duhet gjetur një zgjidhje për këtë. Nëse ajo është duke e parë intervistën, duhet të kuptojë që e ka tepruar mjaftueshëm!” – shton më tej Meritoni.
“Djali im është autik, dhe ajo po e shfrytëzon këtë situatë pasi djali nuk komunikon si moshatarët e tjerë, që të mund të kuptojë se është djali i Meritonit. Kështu do të mund t’i thoshte mamasë ‘o ma, a mund të ma gjesh një numër të babait, se po e njohin të gjithë shqiptarët”. Ajo e shfrytëzon këtë gjë.” – akuzon Meritoni.
Personazhi i njohur rrëfen se që nga momenti kur ka qenë në Big Brother nuk e ka takuar kurrë djalin, madje nuk ka pasur as mundësi kontakti, pikërsiht se mamaja e 7-vjeçarit ka shkëputur çdo komunikim. Ai thotë se momentin e takimit me të birin do ta shfrytëzojë edhe për t’i treguar atij anën e vet të historisë, që shpesh në konflikte mes të rriturve, shtrembërohet në sytë e fëmijëve. Gjithësesi, pavarësisht këtyre ai e vlerëson ish-partneren si një nënë të shkëlqyer në raport me djalin, por kur vjen puna për komunikimin dhe lejimin për t’u takuar me të, është një çështje që duhet zgjidhur në çfarëdolloj forme.
