Nga sot mos dilni më me monopatina në rrugë, hyn në fuqi vendimi për ndalimin e tyre
Prej ditës së sotme ka hyrë në fuqi vendimi që ndalon përdorimin e monopatinave dhe skuterëve elektrikë në rrugët e vendit tonë, për një periudhë të pacaktuar.
Këtë lajm e dha Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, duke bërë të ditur rregullat e reja për sigurinë publike në lidhje me përdorimin e këtyre mjeteve elektrike. Ajo u shpreh se ky vendim vjen si pasojë e rrezikshmërisë së lartë që mjetet elektrike përfaqësojnë, nga ankesat e qytetarëve si dhe ndër të tjera, pasi përdoren në masë nga të miturit të cilët nuk respektojnë rregullat e sigurisë apo të qarkullimit rrugor.
“Përdorimi i këtyre mjeteve shkakton rrezik imediat për sigurinë publike. Janë 991 raste të raportuara nga urgjenca për aksidente me këto mjete. Ka pasur dhe fatalitete mes këtyre rasteve.” – tha nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Ditën e sotme ka nisur aksioni i ndalimit të kujtdo që ka dalë në rrugë me monopatina, për shkak të mospërfilljes së rregullit të ri apo të mosinformimit.