Sot Serbi-Shqipëri, mes presioneve jashtë fushe dhe ëndrrës për në Botëror
Mbrëmjen e sotme, kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij viti ndaj kombëtares serbe.
Në orën 20:45, në Leskovac të Serbisë, mes presionit që ndez atmosferën jashtë fushe dhe presionit të renditjes, Shqipëria dhe Serbia do të vendosin fatet e tyre në renditjen e grupit K të kualifikueseve për në botërorin e vitit 2026.
Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i kuqezinjve Sylvinho dhe mbrojtësi Elseid Hysaj folën për emocionet para kësaj ndeshjeje por edhe analizuan momentin si dhe çfarë duhet të bëjnë për të fituar 3 pikët.
Kujtojmë se nuk munguan as “përplasjet” me gazetarët serbë, të cilëve ju theksua nga delegacioni shqiptar të mos shtrembërojnë fjalët e trajnerit brazilian referuar kombëtares serbe, së cilës ju referua me shprehjen “jo më të mirë se Shqipëria” dhe jo me fjalët “kombëtarja e Serbisë është e dobët”, siç u tentua të transmetohëj.
Gjithësesi, në kushtet e vështirësive të kësaj ndeshjeje Brenda dhe jashtë fushe, për shkak të tensioneve që sjellin në memorie ngjarjet pas dronit të tetorit të vitit 2014, Shqipëria është “e detyruar” të fitojë nëse dëshiron të vazhdojë të ëndërrojë për një vend në Botërorin 2026.
Nga informacionet ederitanishme, formacioni i mundshëm i kuqezinjve për ndeshjen e sotme është ky:
Portier – Thomas Strakosha, mbrojtës – Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Elseid Hysaj, mesfushorë – Kristian Asllani, Qazim Laçi, Arbër Shehu, sulmues – Armando Broja, Mirlind Daku, Myrto Uzuni (ose Nedim Bajrami).
Shpresojmë që mes presioneve të shumta, ndalimeve të tifozëve, kontrollit të rreptë ndaj gazetarëve, mosvendosjes së flamurit shqiptar në stadiumin ku do të luhet ndeshja e kujtimeve të këqia, kuqezinjtë sot të bëjnë një ndeshje të mirë dhe pse jo, të marrin 3 pikët që i japin jetë ëndrrës për të shkuar në Kampionatin Botëror.