Bota e modës në zi, ndahet nga jeta Giorgio Armani
U nda nga jeta në moshën 91 vjeçare, stilisti italian Giorgio Armani. Ai u shoqërua në momentet e fundit nga familja dhe Leo Dell’Orco, shoqëruesi i tij i 20 viteve të fundit. Vetëm pak ditë më parë, ai njoftoi blerjen e restorantit të njohur “La Capannina”, një gjest që e përshkroi si “emocional, një kthim në rrënjët e tij”.
Jo vetëm kaq, por pak ditë më parë, ai miratoi gjithashtu të gjitha pamjet për koleksionin e tij të 50-vjetorit, i cili do të shfaqet në Javën e Modës të ardhshme në shtator.
Giorgio Armani lindi në Piacenza më 11 korrik 1934. Fëmija i tretë nga tre fëmijë. Më i vogli, më i bukuri, më i përkëdheluri nga një nënë, Maria, e cila i nguliti të gjithë klasin dhe shijen e saj të sofistikuar në stil. Pas luftës, ai u transferua në Milano. Ishte i pari që krijoi termin “dizanjer” dhe dekonstruktoi xhaketat dhe lehtësoi pantallonat e burrave. Të njëjtën gjë bëri me gratë që vishte, duke i imagjinuar ato të ulura në një tavolinë ose duke nxituar për të kapur një taksi.
Vite më pas regjisori Paul Schrader, e kontaktoi atë për të dizenjuar rrobat për “American Gigolo” të tij. “Ai erdhi në Milano me John Travoltën dhe unë pranova”, tregoi Armani me qejf, duke zbuluar se fillimisht nuk duhej të ishte Richard Gere. Ishte viti 1980. Ishte shenjtërimi i tij në Shtetet e Bashkuara. Vetëm shtatë vjet pas themelimit të markës, ai u shfaq në kopertinën e revistës Time. Ishte viti 1982. “Kopertina mund të kënaqë kotësinë time, por është vëmendja që i kushtuan punës sime që më jep gëzim të madh.”
Giorgio Armani ishte mbreti i modës italiane dhe jo vetëm…