Shqiptarja Kristiana Çela në listën e Forbes si sipërmarrësja më e suksesshme në Europë
Pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas dëshmohen sukseset dhe arritjet e grave dhe vajzave shqiptare anë e mbanë botës.
Së fundmi, edhe revista prestigjoze amerikane “Forbes” ka publikuar listën e 30 sipërmarrësve më të suksesshëm nën moshën 30 vjeç për Europën dhe në sy bie edhe emri i shqiptares Kristiana Çela.
Kristina, e njohur në platformat sociale si Krissy Çela, renditet mes të rinjve me potencial për të transformuar biznesin dhe shoqërinë.
Ajo ka treguar në rrjetin e saj në Instagram, se ka shkuar në Britani bashkë me familjen e saj me kamion dhe sot ka bërë histori. Pasioni për palestrën e ka kthyer atë në një ndër vajzat e reja që influencojnë miliona gra dhe vajza në botë për të ndryshuar jetën e tyre dhe mënyrën e jetesës.
Llogaria në Instagram e Kristiana Çelës numëron sot 3.1 milionë ndjekës dhe videot e saj nga palestra janë tepër virale. Rreth gjashtë vite më parë ajo ka themeluar me mikun e saj të palestrës Jack Bullimore, një aplikacion për ushqimin dhe ushtrimet fitness.
Aplikacioni quhet “EnvolveYou” dhe është një biznes i ndërtuar nga shqiptarja Kristiana Çela dhe miku i saj. Kjo ide e suksesshme biznesi gjeneron të ardhura deri në 34 milionë dollarë në vit dhe ka më shumë se 80,000 anëtarë të abonuar mujor.