“Do të jem mirënjohës për gjithçka”, Elton Deda reagon i prekur pas ndarjes nga jeta të Pirro Manit
Ditën e djeshme arti shqiptar humbi një nga figurat më të rëndësishme të tij, aktorin dhe regjisorin e shquar, Pirro Mani. Ai mbylli sytë përgjithmonë në moshën 89-vjeçare. Këtë lajm të trishtë e bëri të ditur fillimisht faqja zyrtare në “Facebook” e Teatrit Kombëtar.
Përveç reagimeve të kolegëve të tij, nuk mungoi edhe ai i Elton Dedës. Artisti i njohur për shumë vite ka qenë pjesë e familjes Mani, pasi ka qenë i martuar me vajzën e shtëpisë, Jola Manin. Në vitin 2012-të Deda nisi procedurat e divorcit nga Jola, por siç duket ka ruajtur marrëdhëniet e mira me të dhe familjarët e saj.
“Fluturo tashme me enjgjejt babai i Teatrit. Ke sjelle shume gezime ne jeten time. Dhe cfare trishtimi solle sot. Do te te jem mirenjohes per gjithcka, per dashurine qe me dhe, per trajtimin jo si i dashuri i Joles por si artist dhe koleg. Madheshtia jote nuk ka fund! Ashtu si nuk do kete kurre fund vepra dhe pasuria qe na le! Qofsh i parajses babi Piro!”, shkruan Elton Deda në reagimin e tij.
Pirro Mani lindi në 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Ai është një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jetonte në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.”