Tashmë ata janë Sir David Beckham dhe Lady Beckham! Mbreti Charles “kurorëzon” ish-futbollistin…
Data 4 nëntor 2025 do të mbahet mend gjatë nga çifti David dhe Victoria Beckham.
Në një ceremoni të posaçme në Winsdor Castle që drejtohej nga Mbreti Charles, ish-futbollisti mori titullin Kalorës falë shërbimit dhe meritave të tij në sport dhe bamirësi.
50-vjeçari legjendë e futbollit anglez do të njihet tashmë si Sir David Beckham, ndërkohë që bashkëshortja e tij Victoria do të njihet si Lady Beckham.
Në ceremoninë zyrtare, David, i cili shquhet për elegancën në të veshur dhe stilin e tij të veçantë, kishte veshur një “smoking” ngjyrë të errët, ndërsa u shoqërua nga Victoria, bashkë me prindërit e tij Ted Beckham dhe Sandra West.
Edhe ish-anëtarja e “Spice Girls” veshi një fustan elegant në ngjyrë të zezë të cilin e kishte dizenjuar vet.
“The Guardian” shkruan se legjenda e Manchester United u nominua për herë të parë për të marrë titullin Kalorës që në vitin 2011.
Kur morën njoftimin zyrtar se tashmë David do të bëhej “Sir”, Victoria nuk mund të mos e shprehte kënaqësinë dhe krenarinë ndaj bashkëshortit të saj.
“Ti ke qenë gjithmonë kalorësi im me armaturë të shkëlqyeshme, por tani është zyrtare. Sir David Beckham. Çfarë nderi, nuk mund të isha më shumë krenare se kaq për ty!” – shkruante Victoria. Bëjmë me dije se krahas karrierës së tij të mirënjohur në futboll, David shquhet edhe për meritat në bamirësi. Bashkëpunimi me UNICEF është jetëgjatë dhe ai përpiqet që krahas ndihmave monetare, të japë kontributin edhe në inspirimin e të rinjve për të ndjekur ëndrrat e tyre në jetë.

