Sukses pas suksesi! Dua Lipa jep lajmin e madh për “Sunny Hill Festival”
Prej vitit 2016-të, Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, organizojnë në Kosovë një nga koncertet më madhështorë, “Sunny Hill Festival”. Ndër vite ky koncert ka mbledhur emrat më të njohur të muzikës, ndër ta artisten me famë botërore, Miley Cyrus. Duket se këtë vit, “Sunny Hill Festival” mund të organizohet sërish dhe Dua e Dukagjin Lipa kanë dhënë një lajm të madh.
Ata kanë njoftuar se Prishtina do të jetë shtëpia e përhershme e këtij festivali, teksa po shqyrtojnë që ta zgjerojnë më tej në një vend më të madh. Dukagjin Lipa propozoi ditën e sotme në një mbledhje që festivali të mbahet afër zonës se panaireve në Shkabaj.
“Si një prej festivaleve më të mëdha në rajon kemi nevojë për pronë më të madhe. Gërmia i zë vetëm 20 mijë njerëz, kurse prona që ne propozojmë ka kapacitet për 100 mijë.
Në këtë pronë do investohen gjysmë milioni euro, do mbillen drunj, do bëhet një liqen artificial, këto do bëhen gradualisht. Kjo pronë tani është shkurre nuk ka asgjë”, tha ai.
Ndërsa Dua u shpreh shumë e lumtur që Prishtina do të jetë shtëpia e përhershme e festivalit dhe që do të ketë një vend tjetër për organizimin e tij.
“Festivali ynë Sunny Hill Festival tashmë ka një adresë të përhershme në Prishtinë, Kosovë. Jemi kaq krenarë me arritjen e këtij rrugëtimi deri tani dhe mezi presim që të rritemi më shumë në një vend të ri dhe më të madh! Ju faleminderit për të gjithë dashurinë dhe përkrahjen. Do të shihemi së shpejti”, shkroi Dua në një postim.