Sorry, no posts matched your criteria.

“Shkoj ku ka punë, jam pa shtëpi!” – Shkëlqimi dhe rënia e aktorit Kevin Spacey…

Aktori i njohur amerikan Kevin Spacey ka folur sërish për momentin më të errët të karrierës së tij, pas akuzave për ngacmim seksual që prej vitit 2017 ndryshuan rrënjësisht jetën e tij profesionale dhe personale. Në një intervistë të dhënë së fundmi, 66-vjeçari ka treguar se sot jeton në kushte të pasigurta dhe pa një vendbanim të përhershëm.

“Jetoj në hotele apo në shtëpi me qira ditore. Nuk kam një shtëpi të mirëfilltë.” – rrëfen Spacey, duke përshkruar realitetin e tij të momentit, shumë larg viteve kur ishte një nga figurat më të kërkuara të teatrit dhe kinemasë botërore.

Pas daljes në dritë të akuzave në vitin 2017, karriera e tij u ndal papritur dhe projektet u ndërprenë, ndërsa mundësitë e reja u zhdukën. Megjithëse disa prej proceseve ligjore kanë përfunduar në favor të tij, aktori thotë se dëmtimi që iu bë reputacionit të tij është një pengesë e madhe, pasi i ka mbyllur dyert e industrisë.

Sipas tij, sfida më e madhe nuk është vetëm ajo financiare, por edhe emocionale: rikthimi në identitetin e tij profesional, kur perceptimi publik vazhdon të mbetet i lidhur me akuzat e së kaluarës, duket mision i pamundur.

Spacey tregon se sot jeton disa ditë në një vend, disa javë në një tjetër, gjithmonë me valixhe gati. Ai e quan këtë gjendje “të domosdoshme”.

“Po shkoj aty ku ka punë.” – shprehet ai, duke lënë të kuptohet se dëshira për t’u rikthyer në skenë mbetet e fortë. Aktori i “House of Cards” është akuzuar ndër vite nga më shumë se 30 persona, përfshirë aktorin e “Star Trek: Discovery”, Anthony Rapp. Si pasojë, Netflix hoqi rolin e tij në serialin e famshëm të sipërpërmendur i cili u mbyll në vitin 2018 me Robin Wright në qendër të sezonit të fundit.
Në vitin 2023, Spacey u shpall i pafajshëm në gjyqin e zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, lidhur me akuzat e ngritura nga 4 burra, ndërsa në vitin 2022 u deklarua jopërgjegjës në një çështje civile në New York.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com