Rreziqet e “turizmit” të kirurgjisë plastike: Koha e rikuperimit pas, po aq e rëndësishme sa vet ndërhyrja
Rasti i Milena Macinit, 56-vjeçares nga Frosinone e Italisë që pak ditë më parë humbi jetën në një spital të Stambollit pasi bëri ndërhyrje për liposucion, ka shkaktuar shumë reagime në vendlindjen e saj dhe jo vetëm.
Dinamikat e ndarjes nga jeta të italianes nuk dihen ende zyrtarisht, por ajo ka qëndruar rreth 20 ditë në terapi intensive për shkak të një komplikacioni gjatë procedurës së liposucionit.
Tashmë që ai që quhet “turizëm sanitar” është përhapur shumë, sidomos për ndërhyjet estetike që bëhen në Turqi apo Shqipëri, ngrihen disa pikëpyetje nëse zgjedhja për të shkuar në klinika më të lira ku takimi me mjekun lihet shumë kollaj, është zgjidhja më e sigurt për jetën.
Sipas informacioneve të departamentit që merret me shërbimet ndërkombëtare sanitare në Ministrinë e Shëndetësisë turke, në vitin 2024 kanë qenë më shumë se 1 milion e gjysmë njerëzit që kanë udhëtuar në Turqi për arsye shëndetësore.
Një shifër shumë e lartë kjo që përkthehet në miliarda euro përfitime, por a ka rrezik në gjithë këtë proces?
Sipas mjekëve italianë, në pjesën më të madhe të rasteve shkohet në vende të tilla për të paguar një çmim më të ulët për ndërhyrjen që do të bëhet, pa njohur kirurgun që do të bëjë ndërhyrjen si dhe pa pasur mundësinë për të bërë një vizitë paraprake.
Gjithashtu udhëtimi për të bërë një ndërhyjre estetike dhe kthimi në një kohë të shpejtë pas operacionit është problem më vete. Nëse nuk ndiqen si duhet hapat mjekësorë pas operimit, gjithçka mund të shkojë keq, për vet faktin se kjo fazë është po aq e rëndësishme sa ndërhyrja.
Parapagimi është një tjetër problem, pasi e vë pacinetin në kushtet që është i detyruar të bëjë ndërhyjen shpesh edhe pa i kuptuar të gjitha gjërat, me mjekun “e turnit” dhe me kushtet që janë në momentin që kanë ditën e tyre.
Nga studimi që ka bërë Shoqata e Kirurgjisë Plastike Rikonstruktive dhe Estetike në Itali, problemet që shfaqen më shpesh nga personat pasi bëjnë ndërhyrjet jashtë vendit janë infeksionet, apo nekroza e lëkurës së barkut. Gjithësesi këto janë probleme që mund të lindin ndaj pacientëve kudo që ai/ajo është duke bërë një ndërhyrje. Liposucioni, liftingu, mbjellja e flokëve e të tjera nuk mund të konsiderohen ndërhyrje banale, kështu që kanë rrisqet e veta, por sa më cilësore dhe e gjatë koha e ndjekjes pas operimit, aq më të vogla shanset për komplikacione.