“Nuk jemi komb kosovar, lindim dhe vdesim shqiptar”
Ende pa u shuar “zjarri” që ndezi fitorja e kombëtares shqiptare ndaj Serbisë në Leskovc me rezultatin 0-1, në kuadër të kualifikueseve për në Botërorin e vitit 2026, një tjetër fitore e madhe vjen për kombin shqiptar.
Mbrëmjen e djeshme ishte radha e përfaqësueses së Kosovës, e cila luajti në një transfertë të vështirë në Suedi, në një ndeshje shumë të rëndësishme për ecurinë në grupin B. Por ashtu si kuqezinjtë pak ditë më parë, edhe dardanët arritën të fitonin me rezultatin 0-1, duke blinduar kështu vendin e dytë në grup pas Zvicrës së vendit të parë, çka aktualisht u siguron atyre fazën “play-off”.
Rezultati i arritur me golin e Fisnik Asllanit u shoqërua sigurisht nga një paraqitje e mrekullueshme edhe e tifozëve në shkallët e stadiumit, të cilët mbështetën skuadrën duke shpalosur dhe flamurin kombëtar.
Krahas lojës së mirë, golit, rezultatit dhe tifozerisë së zjarrtë, dy ishin momentet që mbeten në mendje sot: festa pasi mbaroi ndeshja, ku tifozë e futbollistë bashkë gëzuan duke kënduar “o sa mirë me qen shqiptar”; si dhe një banderolë kuptimplotë që shkruante “Nuk jemi komb kosovar, lindim dhe vdesim shqiptarë”, çka është një mesazh i qartë për këdo që ka dyshime dhe për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Ndeshja e radhës e përfaqësueses së Kosovës do të luhet më 15 nëntor kundër Sllovenisë së vendit të tretë.

