Sorry, no posts matched your criteria.

Nga studimet në SHBA tek jeta si nënë e dy vajzave binjake, kush është Vjosa Osmani, Presidentja e Kosovës

Më 4 prill, ish-kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Dikur aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas, Vjosa Osmani arriti të bëhej edhe nënkryetare e kësaj partie.

Si deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës në tri legjislatura, Vjosa Osmani ka qenë kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime strategjike dhe kryetare e Komisionit për Integrime evropiane.

Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë. Në zgjedhjet e 6 tetorit të viti 2019 u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës. Në zgjedhjet e 14 marsi të viti 2021 u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës. Më. 4 prill. 2021 u zgjodh kryetare e Kosovës.

Krahas ndërtimit të karrierës së suksesshme, Vjosa Osmani është e martuar me Prindon Sadriun, i cili punon në Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe është edhe ushtarak rezervist i FSK-së. Ata kanë dy vajza binjake.

Angazhimi politik i familjes së Vjosës, ndikoi në formimin dhe angazhimin e saj politik. Karriera politike e Vjosës filloi qysh në adoleshencë, kur edhe ishte aktiviste e LDK-së, për t’u ngritur më pas ndër vite. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, saktësisht njihet kontributi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku në atë kohë ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, rast të cilin Kosova e kishte fituar kundrejt Serbisë. Në këtë proces jetik për pavarësimin e vendit, Vjosa ka shërbyer si përfaqësuese e Kosovës.

Vjosa i përfundoi studimet e nivelit bachelor në Kosovë me bursë, e cila iu nda nga Ministria e Arsimit, duke u vlerësuar nga e njëjta si studentja më e mirë e Fakultetit Juridik në Kosovë. Njëherësh, ajo u zgjodh edhe një ndër pesë studentët më të mirë të vendit nga të gjitha fakultetet. Në vitin 2004, ajo ishte përfituese e bursës për përfundim të studimeve të nivelit master në Universitetin e Pitsburg-ut në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë me Çmimin “Excellence For The Future Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut. Në vitin 2009, falë suksesit të treguar, kishte fituar përsëri bursë të plotë studimi, për përfundim të studimeve të doktoraturës në të njëjtin universitet, ku u fokusua përsëri në fushën e Juridikut, konkretisht në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare. Po ashtu, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ajo u vlerësua me Çmimin “Sheth International Achievement Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut.

Fokusi politik i Vjosës është në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Përveç gjuhës amtare, flet edhe anglishten, turqishten, spanjishten dhe serbishten.

Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com