Nga Argjentina në Brazil, Dua Lipa “çmend” tifozët e futbollit në Amerikën Jugore
Ylli i muzikës pop, Dua Lipa vazhdon turin e saj “Radical Optimism” në shtete të ndryshme të Amerikës Jugore, por surprizon fansat me prezencën e saj edhe jashtë arenave ku performon.
Së fundmi ajo ishte prezente në shkallët e stadiumit për të ndjekur derbin brazilian mes skuadrës së Fluminenses dhe Flamengos, që përfundoi me rezultatin 2-1 për ekipin pritës. Këngëtarja me origjinë shqiptare kishte veshur një bluzë me ngjyrat e flamurit të Brazilit dhe qëndronte mes tifozëve të tjerë e qeshur, me një gotë birrë në dorë.
Kujtojmë se disa ditë më parë, kur ndalesa e turit të saj ishte Argjentina, ajo pa një tjetër ndeshje derby të zjarrtë, atë mes Boca Juniors dhe River Plate, si dhe u fotografua me legjendën e futbollit argjentinas, Juan Roman Riquelme.
Javën e kaluar, më 15 nëntor Dua performoi në Sao Paulo të Brazilit dhe më 22 nëntor do të ngjitet sërish në skenë në Rio de Janeiro për fansat e saj. Ndërkohë, ajo ka gjetur pak kohë të shijojë emocionet që të fal futbolli, që mesa duket i pëlqen vërtetë.
Skuadra e Fluminenses, në rrjetet e saj sociale ka publikuar një video të Dua Lipës gjatë kohës që ndodhet në stadium për të shijuar atmosferën. Me siguri ata do të luten që ta kenë më shpesh në stadium në krah të tyre, pasi mesa duket ishte ajo fatsjellësja për rezultatin fitues.
“Sa herë që në stadium vjen një personazh i famshëm, Fluminense fiton!” – shkruan një tifoz dhe fans i Duas në rrjete sociale.
“Ajo i solli fat skuadrës më të madhe dhe më të mirë në Brazil, Fluminenses.” – shkruan një tjetër, referuar këngëtares.
Mes shumë dashurie dhe pasioni për futbollin, prezenca e Dua Lipës në stadium ishte më shumë se e mirëpritur.
Pas show-t të nesërm në Brazil, këngëtarja do të vazhdojë turin e saj në Peru, Kolumbi e më pas në Meksikë.

