Sorry, no posts matched your criteria.

Mund të linte muzikën për shkak të kordave të zërit, Jon Bon Jovi përgatit rikthimin

Artisti i famshëm Jon Bon Jovi do të kishte hequr dorë plotësisht nga performancat nëse nuk do të kishte rikuperuar nga problemet në kordat zanore.

“Unë nuk e bëj për duartrokitjet, nuk jam ajo kategori. E bëj për kënaqësi dhe për artin.” – shprehet 63-vjeçari në një intervistë për “Today”, duke argumentuar se nuk ka asnjë motivim nëse do të performosh pa ndjerë kënaqësi.

Pavarësisht pasionit të tij të madh për muzikën dhe karrierës prej disa dekadash tashmë, artisti ka rrëfyer se ajo nuk është gjithçka për të.

“Kjo është ajo që unë bëj, por jo ajo që unë jam. Kam dhe gjëra të tjera në jetën time.” – shprehet ylli i hitit “It’s my life”.

Në vitin 2022, Jon Bon Jovi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi një nga kordat zanore iu dëmtua shumë, çka e pengonte të fliste e të ushtronte pasionin e tij. Falë operacionit ai futi një implant që e ndihmoi të rigjeneronte kordën e dobësuar.

“Rruga ka qenë e gjatë dhe shumë e vështirë, por unë ngulmova!” – shprehet artisti, i cili rrëfeu se ka bërë prova çdo ditë në garazhin e tij, si pjesë e terapisë rikuperuese.

Tashmë, Jon Bon Jovi mund të thotë i bindur se është gati të performojë në “mbrëmjet prej 2 orë e gjysmë, njëra pas tjetrës”.

Bon Jovi dhe grupi i tij sapo kanë deklaruar se në vitin 2026 do të nisin turin e tyre të rikthimit në New York dhe në Britaninë e Madhe.

Por gjatë kësaj periudhe optimizmi i rrokerit nuk ka qenë gjithnjë në këto nivele. Në një intervistë të dhënë në prill të vitit 2024 ai u shpreh për mundësinë e tërheqjes nga muzika.

“Është hera e parë që po e them këtë: Nëse nuk do të këndoj dot mirë, nëse nuk do të jem ai që kam qenë gjithmonë, do të heq dorë!” – shprehej i bindur ai, duke i qëndruar idesë se nuk mund të vinte në lojë reputacionin e grupit prej performancave jo të duhura. Gjithësesi, rikuperimi i artistit të madh ka shkuar siç duhet, e fansat anembanë botës mezi presin rikthimin e tij në tur.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com