Motrës së Cristiano Ronaldos s’i del e keqja me Italinë
Motra e Cristiano Ronaldos është kritikuar nga shtypi Italian, lidhur me disa komente të saj, pas kthimit të bujshëm të vëllait të saj superyll në Manchester United.
Djajtë e Kuq konfirmuan të Premten e kaluar se 36-vjeçari po kthehet në Old Trafford, 12 vjet pasi u largua për në Real Madrid, në një transferim rekord të atëhershëm botëror.
Ronaldo ka kaluar tre sezonet e fundit në Torino me Juventusin, por pa arritur të sigurojë për Zonjën e Vjetër titullin e lakmuar të “Champions League”.
Katia Aveiro, motra e madhe e Ronaldos, ka zemëruar mediat italiane pasi ajo duket se bëri një koment nënçmues për Juventusin në Instagram.
44-vjeçarja postoi një imazh të Ronaldos që kthehej në Manchester United me mbishkrimin: ‘Mirësevini në shtëpi dashuria ime, mirësevini në vendin që meritoni. Çfarë kënaqësie, çfarë krenarie’.
Gazzetta dello Sport e quajti si “helmues” postimin e saj, ndërsa shkruan se Aveiro ka një histori të bërjes së komenteve negative për Juventusin.
Kujtojmë se Ronaldo shënoi 101 gola në 134 ndeshje për Zonjën e Vjetër.