Kush është Alex Consani, modelja shumë e përfolur transgjinore në javët e modës?
Mes qindra modeleve që këto javë të modës kanë ecur në pasarelat e New Yorkut, Milanos, Parisit etj., ndër më të përfolurat ka qenë Alex Consani, një modele transgjinore.
Ajo u lind në vitin 2003 në Kaliforni, ku shumë e re nisi tranzicionin, për t’u shndërruar shumë shpejt në një simbol të të drejtave të njeriut dhe të modës, pasionit të saj.
Modelja e re, ndër më të kërkuarat nga shtëpitë e modës, shpesh shfaqet edhe në evente apo party të ndryshme, duke treguar se është ndër figurat më interesante të sezoneve të fundit. Aftësia e saj për t’u përshtatur në stile të ndryshme e ka bërë atë ndër të preferuarat e drejtorëve kreativë në botën e modës.
Së fundmi Alex ka qenë pjesë e sfilatave në New York Fashion Week për Michael Kors, ne Milano Fashion Week në një event të Gucci-t, në një show të Max Mara-s, për të vazhduar më tej në Paris Fashion Week, në pasarelat e Alexander McQueen, Stella McCartney apoHermès etj.. Me rreth 4 milionë ndjekës në Instagram, modelja transgjinore është shumë aktive në rrjetet sociale, ku përveçse promovon punën e saj si modele, zbulon edhe ndonjë prapaskenë të industrisë, apo foto nga party ekskluzive me personazhe të famshëm, çka e bën atë një “influencer” shumë të ndjekur dhe ikonë për Gen Z.


