Këngëtari Akon është arrestuar në Georgia, SHBA
Ditën e djeshme u bë publik lajmi se këngëtari i famshëm Akon ishte arrestuar në Georgia të SHBA-së, edhe pse fillimisht nuk ishte ende e qartë arsyeja e kësaj ngjarjeje.
Mediat e huaja kanë zbuluar se në fakt artisti është ndaluar nga policia për shkak të mosparaqitjes së tij në polici, pas pezullimit të patentës.
Sipas policisë, gjithçka ka nisur në muajin shtator, kur Akon që drejtonte një Tesla Cybertruck kishte ndaluar papritur në mes të rrugës. Patrulla që kishte qenë aty pranë ishte afruar, dhe pyetjes se përse kishte ndaluar në rrugë, këngëtari i ishte përgjigjur se bateria e makinës së tij ishte prishur.
Ndërkohë që të gjithë ishin në pritje të karroatrecit për të lëvizur makinën, policia kishte mësuar se patenta e Akon ishte e pezulluar që prej janarit të vitit 2023. Në këtë moment policia ka gjobitur shoferin që udhëtonte pa patentë e më pas e ka lënë të lirë.
Gjithashtu në raportimin e policisë thuhet se në makinë u gjet edhe një cigare elektronike e jashtëligjshme, e cila iu sekuestrua.
Më pas, në datën 7 nëntor Akon u arrestua me një urdhër arresti të lëshuar nga gjykata. Ai gjithashtu pozoi për foton rutinë të burgut, por fatmirësisht për të u lirua pas vetëm 6 orësh, me kusht. Akon, ose Aliaune Thiam, siç është emri i tij i vërtetë, ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për ç’ka ndodhur, por me siguri ka marrë një mësim të mirë për të ardhmen.
