Kate Cassidy ruan kujtimet me Liam Payne përmes AI
Ndërsa po afron njëvjetori i ndarjes tragjike nga jeta të Liam Payne, e dashura e tij, Kate Cassidy, ka gjetur një mënyrë prekëse për të mbajtur gjallë kujtimet me ish-anëtarin e One Direction. Influencuesja 26-vjeçare ndau në Instagram një seri imazhesh të krijuara me inteligjencë artificiale, ku shfaqet përkrah Payne në momente të ëmbla romantike.
E veshur me një fustan me lule ngjyrë rozë të lehtë dhe një çantë elegante në dorë, Cassidy duket pranë Payne në foto që janë krijuar nga një fans, duke i dhënë asaj një mundësi për ta “parë” veten sërish në krahët e njeriut që dashuroi për dy vite.
Payne, zëri i hiteve si What Makes You Beautiful dhe Story of My Life, humbi jetën tragjikisht më 16 tetor 2024, pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires. Ai ishte 31 vjeç.
