Sorry, no posts matched your criteria.

Jonida Teli:Yes we can (në Gjermani)…

Shqiptarët janë histori suksesi në çdo vend ku ata kanë zgjedhur të jetojnë dhe punojnë. Një histori frymëzuese është ajo e Jonida Telit, e cila së bashku me bashkëshortin e saj kanë krijuar në Gjermani klinikën e tyre fizioterapeutike, e cila është ndër më të kërkuarat në Freiburg. Jonida në këtë intervistë për Global Woman nuk ngurron të na tregojë rrugën e vështirë që i është dashur të kalojë, por që sot kur kthen kokën pas ndihet shumë krenare…

Jonida si ishte për ty të krijoje një biznes në Gjermani?

 Të krijosh një biznes në Gjermani është jashtëzakonisht shumë e vështirë por jo e pamundur. Klinika ishte ëndrra jonë që 5 vjet përpara realizimit të saj. Vështirësitë që të sjellë vendi i huaj me burokratinë e tij, i zgjidhëm me shumë punë dhe sakrifica.

 Çfarë e bën të vështirë?

Vështirësia ka të bëjë me ligjet dhe rregullat që janë shumë strikte. Ne kur e hapëm klinikën kishim vetëm 5 vjet që jetonim në Gjermani dhe na duhej viza e përhershme, të cilën e morën vetëm 2 javë para hapjes së saj. Ne trajtojmë në klinikë pacientë me siguracion shëndëtësor dhe privat. Kështu jemi të lidhur ngushtë me mjekët që na dërgojnë referencat e tyre për pacientët. Një vështirësi tjetër është dhe plotësimi i kushteve që duhet për hapjen e klinikës dhe ne na u desh 5 vjet ti plotësonim ato kushte siç ishte dhe fakulteti im i dytë për menaxhim shëndetësor dhe realizimi i shumë kurseve dhe shkollave të tjera nga ana e bashkëshortit tim fizioterapist. Sepse edhe pasi je fizioterapist dhe ke studiuar 3 vjet përsëri nuk të lejohet të trajtosh të gjithë pacientët por për këtë të duhen shkolla të ndryshme që zgjasin në kohë. Një vështirësi e madhe ishte dhe financimi i saj. Ëndrra jonë ishte të ishim të veçantë dhe të trajtonim sa më shumë pacientë të ishte e mundur. Për këtë na duhej një sipërfaqe shumë e madhe dhe sigurisht që do mobilohej dhe do kishte kushte moderne. Të gjitha këto kushtojnë shumë dhe për t’a financuar u detyruam që përpos shkollave dhe kurseve që po ndiqnim të punonim më shumë se 200% dhe kështu sakrifikuam pushimet tona, për 3 vjet nuk pata mundësinë as të shkoja në Shqipëri të shihja familjen. Edhe pas gjithë kësaj pune përsëri nuk mjaftoi që ne të finalizonim komplet klinikën. Na duhej të gjenim një bankë që të na mbështeste, por kush i mbështet dy të huaj, që e flasin gjermanishten me theks dhe kanë vetëm një plan biznesi të shkruar bukur dhe me ëndrra të mëdha. Planin e biznesit e kisha shkruar komplet vet dhe të sqaruar deri në detajet më të vogla. Edhe pse ishte mirë shumë banka na refuzuan sepse plani nuk është real. Me shumë këmbëngulje dhe kërkesa në çdo bankë arrita të kisha kontakt me një bankë jo shumë të madhe, por aty punonte një vajzë shqiptare që besoi në ëndrrat tona, edhe pse ajo vetë pati vështirësi me bankën e saj në fillim por luftoi bashkë me ne, edhe pse nuk njiheshim. Një arsye tjetër që nuk më lejonte të jepja 100% tim ishte vajza ime që atë kohë ishte 8 muajshe. Gjatë rinovimit të klinikës asaj i duhej të rrinte aty me ne: në pluhur, gërmadha. Ne hoqëm komplet parketin e mëparshëm, hoqëm mure dhe shtuam disa të tjerë. Dhe gjithë kësaj kohe vajza rrinte 24 orë me në sepse e kisha me gji. Ndonjëherë kam harruar edhe gjithë ditën t’i jap për të ngrene sepse nuk kuptoja kur fillonte dhe kur mbaronte dita. Dhe ajo që e kuptonte situatën dhe nuk na bezdiste fare, vetëm na shikonte ose flinte.

A e ndjen konkurrencë të fortë?

Konkurrencë ka por me thënë të drejtën ky është një profesion që kërkohet jashtëzakonisht shumë dhe pacientëve i duhet shumë herë të presin nga 2 ose 3 muaj për të marrë takime. Kështu që nëse një klinikë është plot dhe nuk ka me kapacitet për pacientë të rinj, i dërgon ato në klinikat e reja që janë hapur. Ne ofrojmë gjithashtu një shërbim që një klinike tjeter nuk e ofron dot atëherë ata i sugjerojnë pacientët që të vijnë tek klinika jonë. Ne më shumë bashkëpunojmë me njëri- tjerin sesa jemi konkurrentë.

Si është të punosh me bashkëshortin dhe të ndash me të çdo shqetësim familjar dhe ekonomik?

Të punosh me bashkëshortin dhe të jesh 24 orë me të është një gjë e bukur. Ai njeh çdo kolegë pune tëndin dhe në këtë mënyrë është direkt në çdo histori i involvuar. Kur punon bashkë me të ndjen që problemi që t’i mund të kesh në punë nuk është më vetëm i joti, por mund t’a bisedosh me një person që automatikisht është edhe problemi i tij. Aty ku ti je 100% e sigurt që edhe ai do japë më shumë se maksimumin e tij për t’a zgjidhur atë problem. Kur punojmë bashkë nuk kam me mundësi t’i them që ti nuk ke kohë për mua (qesh) sepse kështu shihemi gjithë ditën dhe bashkëpunojmë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët. Sepse kjo është një gjë që të dy e donim me gjjthe zemër.

Kush është më racional në punë?

Unë e kam thënë gjithmonë që dëshiroj të jem ajo shefe që kam ëndërruar vetë të kem. Në këtë mënyrë mundohem shumë, ndoshta ndonjëherë edhe jashtë mundësive të mia, që punëtorëve t’ua plotësoj dëshirat në maksimun. Kurse Arbri është pak më i rreptë dhe racional. Dhe kështu bëjmë një kombinim shumë të mirë që klinika të ecë.

 Ju jeni prindër të një vajze që praktikisht është rritur bashkë me biznesin tuaj, do donit të vazhdonte dhe ajo fushën e mjekësisë për ta trashëguar?

Përsa i përket profesionit të vajzës sonë ne jemi komplet të hapur. Unë kam dëshirë që ajo të ndjekë pasionin dhe ëndrrat e saj dhe unë do jem mbështetësja e saj më e madhe. Nëse pasioni i saj do jetë mjekësia dhe e njëjta rrugë si ne atëherë unë prapë do t’a mbështesë për çdo gjë. Për momentin ka pasion baletin dhe pikturën.

Çfarë ju diferencon nga të tjerët?

Jemi klinika më e madhe në Freiburg dhe kështu ofrojmë me shumë shërbime se klinikat. Kemi pjesën e palestrës me aparatura mjekësore që pacientëve i lejohet direkt pas operacionit që të ushtrohem. Shumë klinika nuk e ofrojnë më shërbimin e fizioterapisë neper shtëpi sepse nuk është shumë e mirë paguar nga siguracioni, por ne kemi menduar që këta njerëz të moshuar që kanë nevojë urgjente për fizioterapi mund të ishin edhe gjyshërit tanë, kështu kemi vënë në menaxhim klinikë edhe pak gjendjen dhe ndjenjat emocionale. Ne ofrojmë takimin e parë së bashku me kontrollin shëndetësor direkt pas 24 orësh ndërsa në klinikat e tjera duhet të presësh minimumi 2-3 javë.

Jeni nderuar me disa çmime, janë ato motivues për ecurinë e klinikës suaj?

Çmimet nuk i prisja fare t’i merrja sepse me thënë të drejtën nuk e dija që ekzistonin për fizioterapi. Në momentin që më vijnë me E-mail dhe pastaj me poste më bën edhe njëherë të ndihesha krenare për veten time dhe për ato që kam arritur në kaq pak kohë.

Keni menduar të hapni një klinikë të këtij lloji në Shqipëri?

Në Shqipëri nuk e kemi menduar dhe me thënë të drejtën as nuk është në planet tona. Sepse sistemi që kemi ndërthurur këtu nuk mundet dot të funksionojë në Shqipëri për shkak të siguracionit. Në Shqipëri nuk ka siguracion që të merr përsipër trajtimet fizioterapeutike por paguhen të gjitha nga vetë pacientët.

Cilat janë pasionet e tua veç mjekësisë…

⁠Pasionet e mia (qesh), një pasion shumë i madh i imi ka qenë gjithmonë muzika: kërcimi dhe kendimi. Para se të vija në Gjermani jam marrë mbi 10 vite me kërcime të zhanereve të ndryshme si: hip-hop, breakdance, valz, popullore, etj. Për një kohë të shkurtër kam qenë edhe koreografe, por ardhja ime në Gjermani nuk më dha mundësi t’i jepja përparësi pasionit tim. Tani kënaqem duke parë vajzën time tek kërcen në balet, e shijon dhe njësoj si mami i saj.

Ëndrra në sirtar…

Ëndrra jonë është që të hapim shumë klinika në të gjithë Gjermaninë dhe pse jo edhe në Zvicër dhe të bëhemi një klinikë zinxhir. Planet kanë vazhduar dhe jemi ende në proçes blerje. Një ëndërr tjetër është edhe të zgjerojmë pak më shumë familjen tonë të vogël se tani jemi vetëm katër, së bashku dhe me qenushen tonë Coco.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com