Hamasi liron 20 pengjet e fundit, mijëra palestinezë kthehen në shtëpi
Ditën e sotme, sipas marrëveshjes së arritur javën e kaluar, u liruan në Gaza 20 pengjet e mbetura ende në dorë të Hamasit. Gjithashtu, 738 ditë nga nisja e konfliktit të përgjakshëm në Lindjen e Mesme, pritet që në këto orë të dorëzohen edhe trupat e vdekur të 4 personave të tjerë që kanë qenë peng i Hamasit. Ndërkohë, në këmbim janë liruar rreth 2000 palestinezët e ndaluar nga Izraeli, të cilë me autobus janë transportuar drejt Ramallahut.
Një ngjarje kjo, që pas mijëra të vrarëve e një konflikti shkatërrimtar, ka çuar në duartrokitjen e presidentit amerikan Donald Trump në Izrael, si personi që e beri të mundur.
“Me këtë nuk ndalon vetëm lufta, por ndalon koha e terrorit. Tani është momenti të përqëndrohemi te Rusia. Do ta zgjidhim dhe atë çështje.” – u shpreh Donald Trump.
Nga ana tjetër, kryeministri Benjamin Netanyahu, pasi nderoi presidentin amerikan duke e cilësuar atë si mikun më të madh të Izraelit, përsëriti retorikën e tij mbi luftën, se Izraeli “bëri atë që duhet të bënte”.
“Në përgjigje të sulmit barbar të 7 tetorit, Izraeli bëri atë që duhet të bënte. Me një kurajë të pashembullt u organizuam për të mbrojtur njerëzit tanë, për të mundur armikun e për të liruar pengjet. Ushtarët tanë luftuan si luanë.” – shtoi kryeministri izraelit. Me këtë vendim ditën e sotme, u hodh vetëm hapi i parë për arritjen e një paqeje të qëndrueshme mes Izraelit dhe Palestinës, që për një kohë shumë të gjatë ka parë veç viktima dhe shkatërrim.



