Floriana Garo i rikthehet ekranit, këtë herë si zëdhënëse e PD: Do t’i injoroj sulmet e Ramës
Floriana Garo është rikthyer në Shqipëri, duke nisur një angazhim të ri si zëdhënëse pranë selisë së PD. Në një intervistë mbrëmjen e djeshme, moderatorja rrëfeu arsyen që e riktheu në vendin e saj, pas disa vitesh jetese në Zvicër. “U ktheva nga dëshira për të kontribuar për vendin. Është një një vendim që nuk është marrë beftasi.
Është një vendim që ka dashur kohë që të procesohet në mënyrën e duhur, bashkë me familjen time, me bashkëshortin. Kam menduar që Shqipëria ka nevojë për njerëz që kthehen nga jashtë, dhe njerëz që kthehen me dëshirën për të kontribuar për vendin. Në fakt ftesa më ka ardhur nga Lulzim Basha. Edhe ai e dinte dëshirën time për të kontribuar për vendin.
Dhe kam menduar që vendi i përshtatshëm që unë mund të kontribuoj më mirë është si zëdhënëse e fushatës. Shqipëria ka nevojë për një imazh të mirë”, u shpreh Floriana. Më tej ajo rrëfeu se është e përgatitur edhe për sulmet që mund t’i vijnë nga kryeministri Rama.
”Sigurisht që jam bërë gati. E kuptoj shumë mirë që kjo punë ka edhe gjërat e veta të pakëndëshme, Por eksperienca ime mediatike më ka bërë më të fortë për të përballuar shumë gjëra që janë të pavërteta. Thjesht kam kuptuar që ia vlen ti injoroj”.