Sorry, no posts matched your criteria.

Fëllanza Xh. Kajtazi; Modeli i femrës që na kishte munguar

Fëllanza nuk është si drejtueset tjera që kemi njohur. E thjeshtë dhe me një profil diskret, ajo ka zgjedhur t’i qëndrojë larg mediave, të paktën deri më sot që zgjodhi të rrëfejë për ne një histori suksesi. Nëse po kërkoni një model femre, ajo është padyshim e duhura. Një drejtuese ambicioze si dhe një familjare e përkryer, ajo mund t’i bëjë të dyja. Me shumë krenari na flet edhe për kompaninë e saj, duke specifikuar të gjitha detajet pse sot “Union” është lider në treg. Femrat si Fëllanza i duhen kësaj shoqërie ditët e sotme, femra të cilat punojnë me ndershmëri, respektojnë hierarikinë, dhe mbajnë sytë nga e ardhmja në kërkim të më të mirës.

Të gjithë e njohin Fëllanzan, si drejtuese e zonja e kompanisë “Union”, çfarë mund të na zbuloni më tej për veten?

Në fakt më shumë sesa Fëllanza, njihet puna e saj, pasi që unë gjithnjë kam preferuar të qëndroj larg fokusit mediatik. Të gjithë ata që më njohin e dinë lidhjen time të fortë me punën dhe korrektësinë me të cilën unë e bëj detyrën time. Aktualisht udhëheq departamentin e Financave, Logjistikës dhe Marketingut pranë kompanisë “Union”. Kolegët dhe bashkëpuntorët ma njohin shpirtin luftarak në punë, ndërsa miqtë dhe të afërmit njohin Fëllanzën e ndjeshme, femrën që kërkon të fuqizojë femrat dhe që gjendet aty për cilindo. Pas punës jam një nënë e përkushtuar 100% për dy djemtë e mi Alpin 12 vjec e Detin 6. Jam një bashkëshorte e lumtur me shokun tim te jetes Besnikun  dhe një bijë e motër e dedikuar familjes. Ashtu besoj si të gjithë edhe unë jam shumë e përkushtuar në familje, ku përpiqem të gjendem pranë të gjithëve, ndërsa nga ana tjetër jam një profesioniste në karrierë që nuk neglizhoj asnjë përgjegjësi.

Si janë raportet e tua me suksesin?

Nuk kam synuar ndonjëherë suksesin, kam synuar të jem e vlefshme. Përgjatë gjithë karrierës sime kam dashur të mësoj, të fitoj disiplinë në punë. Në fillimet e mia nuk e kam nisur duke menduar për suksesin, e kam nisur për t’u ngritur profesionalisht. Është një proces që njeriu e kupton kur të vjen koha e duhur për të. Pas formimit akademik mendoja se kishte arritur momenti për të nisur edhe unë angazhimin tim. Isha shumë e re në moshë, megjithatë zgjodha ti hyja kësaj rruge për t’u ndjerë e vlefshme për veten fillimisht, pastaj për familjen dhe kolegët. Suksesi është një ndjenjë relative që mund të arrihet pas një përkushtimi të madh, ndonëse nëse analizohet nga një këndvështrim tjetër, suksesi dhe ndjenja që të ofron kur  arrihet ai, mund të vlerësohet më mirë. Unë ndjehem e suksesshme kur në fund të ditës bëj një analizë dhe shoh se kam dhënë një kontribut të rëndësishëm për kompaninë, kam qenë pranë djemve të mi, si dhe kam shfrytëzuar mirë kohën me familjen.

Fëllanza mes shtëpisë dhe zyrës, si ndahet koha juaj?

Është një binom që shpesh ‘rrëmben’ kohë nga njëri-tjetri. Megjithatë unë jam përpjekur që të jem stoike kur vjen puna për t’ju përkushtuar njërës apo tjetrës. Nuk dua t’i hyjë në hak familjes, nga ana tjetër edhe puna nuk mund të lihet pas dore, ndaj duhet ruajtur shumë mirë ekuilibri për të qenë e pranishme kudo dhe për këdo. Nuk e kam parë veten kurrë si amvise, gjithnjë e kam menduar veten si femër të suksesshme në të gjitha sferat që përkushtohem. Por, pas orarit të punës dua ti përkushtohem  familjes time, fëmijëve, bashkëshortit, nënës, babait, vllezërve dhe motres. Për mua është e rëndësishme të kaloj kohë cilësore me ta. Punën e mbyll në zyrë, ku përpiqem mos të lë gjë pezull. Aty nis dhe angazhimi për familjen. Është një kënaqësi e veçantë të jesh prezente për fëmijët dhe ti shohësh ata të rriten. Ne si familje i japim shume rendesi edukimit dhe këtë vlerë mundohem t’a percjellë te fëmijët e mi gjithashtu. Ndjehem mirë që fillimisht mund të jem një shembull i mirë për fëmijët e mijë, pastaj për të tjerët.

Si nis një ditë e juaja, cilat janë angazhimet deri në fund të saj?

Dita nis herët, ku përveç angazhimeve ditore, merrem me palestër dhe i kushtoj shumë rëndësi shëndetit. Palestrën nuk e shoh vetëm si një destinacion për mbajtjen e trupit në formë, por edhe për shëndetin fizik edhe atë mendor. Aktiviteti fizik është një moment paqeje ku unë përpiqem të shkarkojë energji si dhe një moment i qetë reflektimi. Jam nënë e dy ëngjëjve dhe i jap shumë rëndësi edukimit e shkollimit te tyre. Pasi që i dërgojë fëmijët në shkollë, respektivisht në kopësht, vazhdojë drejt në punë ku kam një vend të punës me nje ekip të mrekullueshme që frymon energji pozitive dhe punë profesionale. Rëndësi të veçantë i kushtoj edhe edukimit ,ngritjes së vazhdueshme personale , kultures dhe këtë veti mundohem t’a përcjell tek fëmijët e mi gjithashtu. Përveç kompanisë Union, gjithashtu merrem edhe me segmente tjera të bizneseve familjare si kompania për shitjen e keramikës dhe sanitarive “Keramiku” si dhe brendin botëror të veshmbathjeve “Defacto”.

Mund të na flisni më shumë për kompaninë “Union”?

Kompania është themeluar në vitin 1989 nga babai im Xhabir Kajtazi  dhe është një kompani që merret me tregtimin e produkteve me shumicë  dhe pakicë. Vlen të theksohet që edhe gjyshi, babai i babait ka qenë tregtar, njeri i shkolluar, gjë që e bën suksesin në biznes pjesë gjenetike të familjes. Kompania  “Union”, aktualisht udhëhiqet nga babai, është mjaft stabil dhe është rritur kështu hap pas hapi për çdo vit. Planet afatmesme të kompanisë janë penetrimi i tregjeve të huaja së bashku me disa investitor turk dhe gjerman. Disa nga brendet që kompania ka nën pronësi të sajën janë “Ducato di Mantova”, një brand i patentuar në Ballkan, ku përfshihet orizi, pastat, mëlmesa, si dhe “Active Baby” pelenat, faculeta e lagure dhe krem per femije, brand ky i krijuar nga kompania. Këto brende janë lider në treg në segmentin e tyre tanimë dhe kjo është arritur fal punës dhe përkushtimit tonë.

Cila është krenaria juaj më e madhe si drejtuese në kompani?

Mund të them që jam shumë krenare për standardin  që kompania ka vendosur. Falë strategjisë dhe proceseve organizative qe kemi krijuarqoftë për menyren e funksionimit, menaxhimit dhe transparencës, jemi vlerësuar nga organet shtetërore si dhe nga vlerësuesit profesional të brendshëm dhe të jashtëm. Besoj se kjo është arritur fal punës dhe strategjisë së pozicionimit të biznesit të përcaktuar nga drejtori z.Xhabir Kajtazi. Të gjitha atributet shkojnë për të, fal përvojës së tij në pozita drejtuese edhe në kohët më të hershme duke ecur gjithnjë me strategji konkrete dhe duke ju përshtatur kërkesave në kohët e ndryshme. Me shumë vullnet dhe shumë energji, ai është një njeri i patundur. Ai vjen nga një familje tregtarësh dhe është edukuar me kulturën e punës. Për të, gjithçka vërtitet rreth punës në mënyrë profesionale, prandaj ne jemi përpjekur të ruajmë standardin, pavarësisht kostos. Fal tij dhe proceseve të vendosura nga ai, sot “UNION” është një biznes me themele te forta, me plane konkrete dhe mbështetet vetëm në djersën e ballit. Mendoj se si drejtuese kjo është krenaria më e madhe, nga ana tjetër si pjesë e familjes jam krenare që dëgjoj emrin e kompanisë, por edhe të babait të identifikohet me atë të një rasti model në botën e biznesit.

Çfarë ju diferencon nga të tjerët?

Sot pas më shumë se 3 dekadash në këtë biznes më vjen mirë që gëzojmë një reputacion të shëndosh, si kompani e ndershme, me njerëz punëtor dhe të pangatërruar. Mund të kishim zgjedhur të ecnim edhe më shumë, edhe më mirë, por ne zgjodhëm  rrugën e drejtë. Sot kompania është një lider dhe më vjen mirë që lakohet kudo vetëm me konotacion pozitiv. Koncepti i biznesit për ne nuk është vetëm fitimi, është idea për të qenë pranë çdo familje të konsumatorit. Jetojmë në një kohë ku ushqimit i tregohet kujdes më i shtuar, ndaj ne përpiqemi të ruajmë gjithnjë kualitetin dhe të jemi të pranishëm në çdo familje, njësoj si në familjen tonë.

Si ka qenë për ju puna në biznesin e familjes. Po në aspektin femëror?

Ka qenë e lehtë për faktin se u inkuadrova në biznesin e familjes, por ka qenë e vështirë për faktin se mora përgjegjësi të mëdha sipër vetes edhe pse në një moshë shumë të re. Mendoja se do të ndeshesha me paragjykime për faktin se isha pjesë e familjes, por edhe në këtë rast drejtori u kujdes që të më “ngarkonte me përgjegjësi” më shumë se sa me privilegje. Unë u mësova që në ditët e para të respektoja hierarikën. Nga ana tjetër më erdhi mirë që gjeta një klimë pune ku kërkohej dhe respektohej mendimi i gjithsecilit. Mbaj mend që kur unë nisa punën isha e vetmja femër në administratë, të gjithë ishin meshkuj. Ndërsa sot fryma ka ndryshuar tërësisht dhe rreth 60% e drejtuesve të kompanisë janë femra dhe ndjehem shumë e lumtur për këtë fakt.

Na flisni pak më shumë për raportin që keni me babain tuaj, sidomos brenda kompanisë?

Babai është shumë i saktë dhe punëtor, është shumë kërkues kur bëhet fjalë për punën por edhe shume bashkëpunues. Nuk është se më ka trajtuar ndonjëherë ndryshe për faktin se isha vajza e tij. Jo! Për të isha si çdo punëtore tjetër, si për orar, si për pozita apo diskutime rreth punës. Gjithmonë më është dashur ti drejtohem me emrin drejtor dhe jo babi, siç isha rritur e mësuar në shtëpi. “Në punë më ke drejtor, në shtëpi më ke baba” më thotë gjithmonë. Kjo ka vlejtur edhe për vëllezërit e mi. Kemi gjetur një ambient pune shumë komod, por nga ana tjetër kur jemi drejtuar tek ai, jemi kujdesur të shkojmë si profesionistë. Si vajzë, pastaj kam një raport shumë të ngushtë me babain. Unë jam vajza e madhe e familjes dhe si e tillë ai pret edhe më shumë nga unë dhe shpresoj shumë që ta kem bërë krenar. Mund të them që në çdo ditë timen si në punë ashtu edhe në familje ai është shembulli im më i mirë.

Sa e lidhur jeni me familjen, a bisedoni edhe në shtëpi për punën?

Kam një raport shumë të veçantë me nënën Natyre Badivuku Kajtazi e cila është një grua plot vlera, shumë pozitive edhe bamirëse. Nëna dhe babi kanë dashuri shumë të madhe për njëri-tjetrin dhe janë shembull për mua, motrën  e vëllezërit. Përfitoj nga çdo moment i lirë për të qëndruar me ata. Në ambientet e punës ne jemi kolegë dhe diskutojmë rreth punës, ndërsa në shtëpi ne jemi familje dhe zgjedhim të shijojmë çdo sekondë që kalojmë me njëri-tjetrin. Jemi shumë të bashkuar në gjithçka që bëjmë. Unë sot kam familjen time, e prapë nuk i konceptoj dot ditët pa ata. Është një marrëdhënie që forcohet dita-ditës, kjo fal përkushtimit të prindërve tanë. Ata ia kanë arritur të përçojnë tek ne forcën e familjes. Kjo edhe fal traditës së tyre familjare. Të dy vijnë nga familje të konsoliduara dhe të njohura në Kosovë. Shpresoj shumë që në të ardhmen edhe ne të përcjellim emrin e mirë të familjes sonë tek gjeneratat e reja.

Si femër, si grua, por edhe si profesioniste sa e realizuar ndjeheni?

Në aspektin familjar jam e bekuar me familjen time. Sikurse e përmenda bashkëshorti im Besniku ka qenë mbështetja ime më e madhe, forca ime dhe shoku im më i mirë i jetës. Si nënë nuk mund të isha më e lumtur teksa shoh dy djemtë e mi të rriten me shëndet e lumturi. Jam e bekuar që kam pranë edhe familjarët e mi. Çdo moment i rëndësishëm për mua, i bënë edhe ata pjesë të rëndësishme dhe të pandashme timen. Nga ana tjetër në karrierë përditë bëj hapa të rinj, nuk kënaqem dhe luftoj për më shumë. Mendoj se një e ardhme dhe më e ndritur më pret. Besoj në filozofinë që çdo kush duhet të rritet profesionalisht, suksesi nuk ka limit. Sot janë mundësitë, pse të mos jetë edhe ambicia?!

E quani veten të pasur?

Po! Jam e pasuruar me dashuri çdo ditë. Kam një familje që më frymëzon dhe motivon çdo ditë që të jem pranë tyre dhe të nxjerr në pah më të mirën time vetëm për ta. Kam një punë që e vlerësoj dhe mjedis komod rreth vetes. Kam një eksperiencë në zhvillim konstant dhe çdo dite  e shoh si mundësi të re. Më shumë se pasuri, kjo është një bekim për mua. Pasuria materiale më besoni është vetëm një term përballë gjithë këtyre dhe jam e bindur se si unë ndjehet çdo femër që është e kënaqur me vetveten.

E keni menduar ndonjëherë jetesën jashtë Kosovës? Qoftë edhe për biznes…

Sot jetojmë në kohë virtuale ku mund të jesh një qytetar i botës edhe virtualisht. E kam të pamundur të largohem nga vendi im. Sikurse ceka edhe më lart, brez pas brezi ne kemi investuar për këtë vend. Vij nga një edukatë familjare që investimi për vendin është gur themeli i parë i shoqërisë, ndaj largimi nga Kosova nuk është një opsion për mua. Dhe meqë mua dha rasti do doja të bëja një apel për të gjithë të rinjtë. Ky vend është si çdo vend tjetër, me probleme, padrejtësi, por asnjëra nga këto nuk është arsye që të largohen. Qëndroni! Mësoni! Investoni tek vetja! Rrituni profesionalisht! Mos pranoni ‘Jo’ si përgjigje! Rinia janë shpirti i këtij vendi, më shumë se kujtdo tjetër, Kosovës i duhet brezi i ri.

Nëse do të takoje Fëllanzën 20 vite më të re, çfarë do ti thoje?

Edhe Fëllanza këto 20 vite nuk ka ndryshuar shumë, të paktën në ideologji. Vijoj të kem energjinë dhe dëshirën për të bërë gjëra të mëdha, veçse tani kam edhe përgjegjësi familjare më shumë. Megjithatë po të kthehesha 20 vite pas do ti thoja të mos trembej nga barrierat! Asnjë rrugë nuk është e lehtë dhe asnjë barrierë nuk është e pakalueshme. Dhe gjithashtu do ti thoja të buzëqeshte, sepse jeta është shume e  bukur!

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com