Elton John mund të mbetet i verbër, por shpreson ende se inteligjenca artificiale do ta ndihmojë
Artisti i famshëm Elton John ka treguar së fundmi për sfidat serioze që po përjeton me shikimin, duke pranuar se gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Megjithatë, këngëtari legjendar thotë se nuk e ka humbur shpresën dhe beson se përparimi i shkencës mund t’i shpëtojë shikimin.
Në një intervistë të dhënë për “Variety”, autori i “Rocket Man” foli për shumë çështje me rëndësi të jetës dhe karrierës së tij, mes tyre për betejën kundër HIV/AIDS dhe shqetësimin e madh për sytë e tij. Ai zbuloi se vitin e kaluar humbi shikimin në syrin e djathtë pas një infeksioni të fortë, ndërsa edhe syri i majtë është rënduar ndjeshëm.
“Ka qenë rrëqethëse. Kam humbur syrin e djathtë dhe i majti nuk është aspak mirë. Për 15 muajt e fundit nuk kam arritur të shoh, të lexoj apo të shikoj asgjë!” – u shpreh i shqetësuar 78-vjeçari.
Kjo gjendje e ka bërë artistin britanik të ketë probleme për aktivitete të thjeshta, si leximi, shikimi i ndeshjeve të futbollit apo ndjekja e ndeshjeve të regbisë të djemve të tij, çka e ka bërë të ndihet jo mirë emocionalisht.
Megjithatë, Elton John përpiqet të qëndrojë pozitiv, e çka tjetër veçse muzikës mund t’ja jepte këtë efekt? Ai ende mund të këndojë dhe të luajë në piano, dy pasionet që i japin forcën.
“Kam jetuar një jetë të mrekullueshme. Ka shpresë. Duhet vetëm të jem i duruar derisa shkenca të gjejë një zgjidhje. Nuk duhet të dorëzohemi kurrë!” – deklaron Elton, i cili beson se përparimi i shkencës në dekadat e fundit do të gjejë një mënyrë që ai të kthejë shikim e tij normal.
Partneri i tij, David Furnish tha se Elton ka kryer disa trajtime dhe ka vënë re përmirësime në syrin e majtë, çka i jep atyre shpresë.
Elton John mbetet optimist, duke besuar se mjekësia moderne dhe teknologjia, veçanërisht inteligjenca artificiale mund t’i kthejnë shikimin e rrjedhimisht cilësinë e jetës. Gjithësesi, pavarësisht këtyre vështirësive ai i gëzohet faktit që ka mundur të performojë së fundmi në garën “Singapore Grand Prix” të Formula 1, dhe falënderon vazhdimisht familjen dhe miqtë që i rrijnë pranë. Ai tregoi edhe për mbështetjen e kolegëve të tij të ngushtë, përfshirë Paul McCartneyn e famshëm, Pete Townshend, Mick Jagger dhe Keith Richards, të cilët e kontaktojnë rregullisht për të mësuar për gjendjen e tij shëndetësore.
