E pazakontë! Dyshohet se ndërroi gjini, volejbollistes së Dinamos i kërkohet të bëjë test.
Një ndodhi e pazakontë për sportin shqiptar është ajo e orëve të fundit, që lidhet me sportin e volejbollit.
Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) ka pezulluar përkohësisht volejbollisten braziliane të ekipit të Dinamos, Nayara Ferreira, pasi disa ekipe kundërshtare kanë kërkuar që ndaj saj të kryhet një test gjinie.
Burime brenda federatës bëjnë me dije se vendimi është marrë pas një serie ankesash zyrtare që kanë mbërritur në FSHV, ndërsa situata ka ngritur debate të forta brenda komunitetit sportiv.
Në një reagim zyrtar të publikuar në rrjetet sociale, FSHV theksoi se po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e “fair play”-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor.
“Në lidhje me informacionet e publikuara në media lidhur me pezullimin e lojtares së ekipit të Dinamos, znj. Nayara Ferreira, Federata Shqiptare e Volejbollit dëshiron të sqarojë se aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar për të ndarë në këtë moment.
FSHV po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e fair play-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor. Federata mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit.” – thuhet në deklaratën e federates, e cila thekson se për çdo informacion të mëtejshëm do të jetë faqa e saj zyrtare që do të informojë publikun.
Ndërkohë, sipas burimeve pranë lojtares, Ferreira është ankuar për diskriminim në disa organizata për mbrojtjen e grave, si dhe ka kërkuar ndihmën e Ambasadës Braziliane në Tiranë.
Klubi i Dinamos e ka quajtur këtë akt si “cënim i dinjitetit njerëzor” për një lojtare që ka 15 vite karrierë. Fakt është se deri në këto momente Nayara Ferreira është e pezulluar. Edhe në ndeshjen e fituar dje nga Dinamo kundër Tiranës, Nayara Ferreira nuk ishte prezente.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe pritet që në ditët në vijim FSHV të publikojë detaje të reja në lidhje me procesin dhe rezultatet e hetimit.
