
Brixhida Muça: Zonja që “Lumturon Dhimbjen”
Historia e dhimbshme e djalit të saj bëri që ajo të kalonte një periudhë të gjatë vështirësish dhe sfidash. Kjo i dha shtysën e fortë, Brixhida Muçës që të krijonte Qendrën “Lumturo Dhimbjen” me shërbim falas, që ka në fokus të rinj mbi 14 vjeç të prekur nga autizmi dhe nga sëmundje tumorale. Sigurisht që ky nuk është një rrugëtim i lehtë dhe Brixhida e konfirmon më së miri këtë fakt, por nga ana tjetër ajo nuk ka ndërmend të ndalet dhe dëshiron ta çojë gjithnjë e më shumë përpara këtë kauzë dhe mision të vetin…
Brixhida si ka nisur 2025 për ty?
Ky vit ka nisur plot energji , vizion e objektiva për të arritur më të mirën e mundshme të detyrave të marra përsipër. Kauza ime vazhdon mes sfidave e arritjeve.
Si ka lindur “lumturo dhimbjen”?
“Lumturo Dhimbjen” ka lindur nga jeta e vështirë plot dhimbje e sfida me djalit tim. Një rrugëtim ku dhimbja të jep leksione e të aftëson. Djali im duke u përballur me humbje dëgjimi, autizmin e kancerin më bëri të shoh shumë njerëz që mbështesin e motivojnë dhe prindër (kryesisht nëna) se si përballen me këto sfida. E mbushur me dëshirën për të ndihmuar, kontribuar e lumturuar sado pak lindi “lumturo dhimbjen” si një nismë me dy kauza, autizmi e kanceri për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar.
“Lumturo Dhimbjen “ ka qenë pjesë e shumë eventeve ku ka në qendër fëmijët special si dhe ata që vuajnë nga sëmundjet tumorale. Si ndiheni për këtë fakt?
Këto aktivitete kishin vullnetarizmin e njerëzve fisnik e jo shuma monetare. Kështu nga aktiviteti në aktivitet rritej kjo nisëm duke përmbushur kauzat e saj. Duke më bërë të
ndjehem e lumtur që ja dola të ndërtoj një model kontributi për të sjellë në vëmëndje këta fëmijë që dergjen nëpër spitale klinika e terapi të pa shpresë e pa përkrahjen e duhur. Një rrugëtim ku dhimbja të jep leksione e të aftëson.

Më 6 prill të vitit 2023, ëndrrat tona fluturuan ndërsa hapëm me krenari dyert tona për një kapitull të ri gëzimi dhe mbështetjeje: Qendrën “Lumturo Dhimbjen”me shërbim falas.
Me “Lumturo Dhimbjen”, ne kuptojmë udhëtimin unik të të rinjve mbi 14 vjeç që të mundësojmë aftësim e tyre në shërbimin bazik e të pavarur në mënyrën e tyre unike. Këta individë me botën e tyre, secili i prekur nga autizmi, janë fokusi ynë, frymëzimi ynë dhe arsyeja jonë për t’i mbështetur dhe udhëhequr ata në rrugën e tyre për të kapërcyer vështirësitë e jetës së përditshme. Për momentin fokusi kryesor mbetet tek të rinjtë e spektrit autik, për shkak të urgjencës dhe mungesës së një qendre për ta. Ndërkohë, fokusi për fëmijët e prekur nga sëmundjet tumorale është në zhvillim të mëtejshëm.
A ka ndonjë histori që ju ka prekur më së shumti?
Histori ka shumë që dhembin e kalojnë përtej mendësive të normalitetit. Por ajo që dhemb e lë mbresa është pesha që mbajnë nënat duke sfiduar gjithçka , duke haruar të jetojnë.
Cilat janë planet tuaja për këtë vit?
Për të ardhmen kam shumë plane ,si krijimi i mundësive për të dhënë më shumë shërbime duke zbatuar e përmbushur programin që ka qendra. Gjithashtu për të hapur e shtrirë në qytetet kryesore të Shqipërisë me të njëtën strategji me shërbime falas.Synim tjetër është hapja e një qendre rezidenciale ku këta të rinj të kenë një vend të sigurt kur prindërit e tyre mos të jenë më në jetë. Ky është misioni e sfida ime.
Dhe ky mision nuk përmbushet vetëm por me mbështetjen e atyre që munden më shumë që këto sfida të tejkalohen.