Sorry, no posts matched your criteria.

Blinera Osmani: This is a woman’s world…

Blinera Osmani është një zonjë tejet interesante. Të tillë ka zgjedhur edhe profesionin (siç është avokatia), një fushë plot sfida dhe vështirësi. 17 vite eksperiencë në këtë profesion sfidues e kanë bërë Blinerën të ndihet (me të drejtë) jo vetëm krenare por edhe e shumë e fortë, në një profesion që është konsideruar gjithnjë si “territor” i burrave. Por sado që flasim e flasim për arritjet e saj si juriste, Blinera e ndryshon menjëherë kursin e bisedës sonë dhe thotë se gjëja për të cilën ndihet shumë krenare është vajza e saj, Juna. Po prisni pak mbiemri Osmani ju thotë “diçka”?! Patjetër që po dhe Blinera nuk ngurron të na tregojë se si është të jesh motra e presidentes të parë grua në trojet shqipfolëse, Vjosa Osmani. Se si është raporti i dy motrave që ndajnë jo vetëm profesionin por edhe shumëçka mes motrash… këtë e mësojmë bashkë në rrëfimin ekskluziv të Blinera Osmanit.

Si do ta përshkruaje Blinerën?

Gjithmonë e kam pasur vështirë të flasë për veten, por mund të them që jam një person mjaft pozitiv dhe kam dëshirë të rrethohem me njerëz që reflektojnë energji pozitive. Gjithmonë mundohem të shoh të mirën tek njerëzit dhe në asnjë rrethanë nuk pranoj të ngarkoj veten më gjëra të cilat nuk kanë vlerë, sepse e konsideroj si shumë të rëndësishme harmoninë dhe qetësinë shpirtërore.

Më së shumti më pëlqen ta përshkruaj veten si nënë, meqë gjëja më e rëndësishme për mua është vajza ime, Juna. Jam shume e bekuar që kam një vajzë e po rritet me një karakter të fortë dhe vlera të shëndosha.

Emrin e keni shumë të veçantë, cfarë kuptimi ka?

Emri im ka kuptimin e erës se blirit Blin-Era. Gjithmonë kam pasur problem me shqiptimin e emrit tim sepse e kanë kuptuar si Blerina, ndërsa shumica e personave të afërt me thërrasin Blink.

Si e menaxhoni kohën për punën dhe familjen?

Menaxhimi i kohës në mes punës dhe familjes është një sfidë që kërkon disiplinë dhe një qasje fleksibile. Si një grua dinamike me një karrierë të fortë, nuk e kam pasur asnjëherë problem të përkushtohem gjatë gjithë kohës për t’i bërë të dy aspektet e jetës sime të funksionojnë në harmoni. Përpiqem të jem shumë e organizuar, të krijoj plane ditore dhe javore që përfshijnë detyrat e punës dhe angazhimet familjare. Përdor gjithmonë mjete teknologjike për të mbajtur gjurmët e afateve dhe takimeve, duke siguruar që çdo gjë të funksionojë siç duhet. Jam mësuar të jem fleksibël dhe të përshtatem me ndryshimet e papritura. Në një jetë dinamike, gjërat nuk shkojnë gjithmonë sipas planit, prandaj, unë përpiqem të mbaj një qëndrim pozitiv dhe të kërkoj zgjidhje në vend që të përqëndrohem te problemet.

Ndërsa, besoj fuqishëm që në mënyrë që të kesh një menaxhim stabil, duhet të bëhet përcaktimi i përparësive. Është e natyrshme që puna kërkon më shumë vëmendje, por për mua familja është përparësia ime kryesore. Gjithashtu, mendoj se është e rëndësishme të kujdesesh për veten. Edhe pse jam e përkushtuar gjatë gjithë kohës, mundohem që duhet të gjej kohë për t’u çlodhur dhe për të rigjeneruar energjitë. Duke u përqendruar te mirëqenia ime fizike dhe mendore, kjo reflekton pastaj si në punë, ashtu edhe në shtëpi.

Sa suportues është partneri juaj?

Partneri im është suportuesi im më i madh dhe një baba shumë i përkushtuar. Më mbështet në çdo aspekt të jetës sime, si personalisht ashtu edhe profesionalisht. Në rolin e tij si baba, ai tregon një kujdes të jashtëzakonshëm për vajzën tonë, andaj ky përkushtim i tij e bën një ndryshim të madh në përditshmërinë tonë, duke më lejuar mua ta kem më të lehtë të fokusohem edhe në karrierë dhe të ndihem e mbështetur. Përkushtimi i tij ndaj familjes dhe dashuria që na jap çdo dite mua dhe vajzës, i jep shumë kuptim harmonisë tonë familjare. Prandaj mund të them që jam shumë me fat që e kam atë në jetën time.

Si është Vjosa si motër, jashtë ‘kostumit’ të Presidentes?

Jashtëzakonisht e kujdesshme dhe mbështetëse në të gjitha sferat. Kryesisht është shumë kërkuese dhe nuk më lejon që të jem në komoditet me vetën por gjithmonë më motivon që të ndërmarr hapa që të avancohem sa më shumë në sferën profesionale.

Ajo gjithmonë ka qenë një shtyllë mbështetëse për mua dhe familjen tonë, dhe kjo nuk ka ndryshuar pavarësisht pozitës së saj të lartë. Si motër, Vjosa është e thjeshtë dhe e përzemërt, edhe kur ka shumë përgjegjësi dhe një orar të ngarkuar, ajo gjen kohë për të qenë pranë nesh, për të marrë pjesë në momente të rëndësishme familjare dhe për të mbajtur të fortë lidhjen tonë të veçantë.

Ajo më ka dhënë gjithmonë mbështetje në vendimet e mia dhe vazhdon të jetë afër meje me këshillat e saj. Kjo e bën Vjosën të këtë natyrë të kujdesshme dhe e përkushtuar, pa e ndjerë kurrë distancën që mund të sjellë një pozitë e lartë shtetërore. Në fund, mund të them se pavarësisht përgjegjësive të saj të mëdha, mbetet e lidhur shumë me familjen.

Për cfarë e këshilloni më së shumti njëra-tjetrën?

Natyrisht, meqë vajzat tona janë të të njëjtës moshë pashmangshëm që bisedat tona më të shpeshta janë në lidhje me kujdesin dhe mirëqënien e tyre.

Të dyja jemi të angazhuara në karrierë dhe kemi përgjegjësi të mëdha, por gjithashtu vlerësojmë thellësisht familjen dhe jetën personale. Prandaj, shpesh flasim për mënyrat se si mund të menaxhojmë më mirë kohën tonë, si të krijojmë hapësirë për relaksim dhe si të ruajmë marrëdhëniet tona të afërta. Këshillat që japim njëra-tjetrës lidhen edhe me mirëqenien emocionale dhe fizike. Ne inkurajojmë njëra-tjetrën të kujdesemi për veten, të gjejmë kohë për gjërat që na sjellin energji pozitive dhe të mos e lejojmë stresin të ndikojë negativisht në shëndetin tonë.

Meqë ndajmë profesione të njëjta,diskutojmë edhe për aspektet praktike të jetës profesionale. E këshillojmë njëra-tjetrën për mënyrat më të mira për të trajtuar sfidat në punë ose për të zgjidhur probleme të ndryshme. Këto biseda na ndihmojnë të qëndrojmë të lidhura dhe të sigurojmë që kemi një mbështetje të fortë në çdo hap të jetës sonë, dhe për të mos harruar të gëzojmë momentet e bukura që jeta na ofron.

Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që keni patur në jetë?

Në fakt unë mendoj që vet jeta është sfidë dhe ngërthen në vetë momente që të testojnë forcën, qëndrueshmërinë dhe aftësinë për tu përshtatur. Unë kam qenë vetëm 11 vjeçe kur ishte lufta në Kosovë, dhe pas përjetimeve të luftës, përballja me çdo sfidë tjetër më kujton që asgjë më e rëndësishme nuk është se sa vetë jeta dhe shëndeti i plotë.

Pavarësisht vështirësive, ato më kanë bërë më të fortë dhe më të aftë për të përballuar gjithçka që jeta më ofron. Sfidat kanë qenë gjithashtu një burim i rëndësishëm mësimi, duke më ndihmuar të pjekem si person dhe të vlerësoj gjërat që janë me të vërtetë të rëndësishme.

Po arritja më e madhe?

Besoj që krijimi i një karakteri të fortë, konsistent, me vetëbesim dhe përkushtim në çdo gjë, ka pasur ndikim të madh në jetën dhe karrierën time. Një nga arritjet më të mëdha është angazhimi im profesional, përkushtimi im për të ndërtuar karrierë të suksesshme në një fushë të vështirë si avokatia. Të jem në gjendje të përfaqësoj klientët e mi dhe të luftoj për të drejtat e tyre është një nder i madh, dhe suksesi që kam arritur në këtë fushë është rezultat i punës së palodhur, përkushtimit dhe këmbënguljes.

Një tjetër arritje që vlerësoj shumë është krijimi i një ekuilibri të qëndrueshëm midis karrierës dhe jetës familjare. Duke qenë se kam një profesion që kërkon përkushtim të lartë dhe kohë, ka qenë e rëndësishme për mua të sigurohem që familja ime është gjithmonë përparësia ime kryesore. Të arrij të menaxhoj përgjegjësitë e punës ndërkohë që kujdesem për familjen dhe ruaj marrëdhënie të forta me ta është një arritje për të cilën jam jashtëzakonisht krenare.

Mbi gjitha, bazuar në faktin që jetojmë në një kohë mjaftë dinamike dhe sa e vështirë është që të gjesh kohë për familjen dhe shoqërinë, konsideroj që kam arrit të kem një harmoni familjare dhe shoqëri të shëndetshme.

Ndonjë pasion tjetër të Blinerës a mund t’a zbuloni për ne?

Mundohem që përmes leximit, udhëtimeve dhe nuk mund pa e përmend gjithashtu shopping-un, t’i ofroj vetes momente relaksimi. Më pëlqen të udhëtoj në vende të reja, të përjetoj kultura të ndryshme dhe të njihem me njerëz të ndryshëm. Përveç kësaj, udhëtimet më japin mundësinë të shkëputem nga rutina e përditshme dhe të rikuperoj energjitë, duke më lejuar të kthehem në punë dhe në jetën familjare me një perspektivë të freskët. Ndërsa, shopping-u më jep kënaqësi dhe argëtim, mbi gjitha sepse e pëlqej dhe e përcjellë shumë afër modën.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com