
-Blendi Fevziu has stories to tell (in his travel book)
Nga Suada Daci
Do ta filloj nga fundi (i intervistës) këtë përshkrim për Blendi Fevziun. PO! Ai është shefi më komod dhe qytetar me të cilin kam punuar. (Kaq sa i takon mendimit tim personal) Blendi Fevziu është “brand” madje edhe programi i tij “Opinion”. “Opinion” ka 27 vite në treg dhe nuk besoj që ka ndonjë shqiptar (brenda dhe jashtë vendit) që kur ndodhet në mbrëmje në shtëpi, mos të bëjë “zapping” nga programi më i njohur dhe jetëgjatë politik në vend. Blendi Fevziu është gjithashtu nga ata gazetarë që mund t’a konsiderojmë si dëshmi të gjallë të shumë ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipërinë postkomuniste, por edhe një gazetar shumë “cool” që ecën me hapin e kohës, duke qenë i pranishëm edhe në mediat sociale. Nga ana tjetër ne e njohim Fevziun edhe si shkrimtar, prandaj në këtë intervistë ai na ka treguar se ka nisur të shkruaj një libër për atë që ai komentohet më së shumti në rrjet… UDHËTIMET!
Si ka nisur 2024 dhe “Opinion” për ty?
B.F. Si çdo vit tjetër, me të njëjtin intensitet dhe me të njëjtin impenjim. Ka momente që mendoj se jeta ime nuk mund të jetë ndryshe veç këtij zinxhiri takimesh, rendje pas lajmit dhe telefonatave e mesazheve që bien në çdo orë të ditës. Nuk di të them nëse po të ishte ndryshe do ishte më mirë, di thjeshtë të them që mbase unë s’do dija të jetoja ndryshe nga sa jetoj. Sot jam 54 vjet. 27 prej këtyre i kam kaluar në emisionin Opinion. Një jetë e ndarë në dysh.
-A ka kontent mjaftueshëm për të mbajtur një emision 4 herë në javë për më shumë se dy dekada?
B.F. Përderisa vijon dhe ka ende shikueshmëri tregon që ka. Por mos harroni një gjë. Emisioni ka ndryshuar rrënjësisht që prej fillimeve të tij. Tani nuk është më një emision debat, por një emision aktualiteti që mbështetet më shumë mbi ngjarjen e ditës. Dhe ky vend me ngjarje është i mbushur plot. Plus kam sjellë forma të reja siç janë udhëtimet nëpët Shqipëri për të zbuluar pjesën e saj më të bukur.
-A është krenar Blendi Fevziu për “Opinion”?
B.F. Krenaria është fjalë e madhe. Por jam shumë i kënaqur që çdo mëngjes ngrihem me etjen për të bërë emisionin, për të gjetur tema të reja dhe për të qenë i pëlqyeshëm me publikun.
-Jeni nga ata gazetarë që keni jetuar dhe provuar shumë zhanre të medias, gazetë, televizion, etj. Si e shihni sot median tradicionale në raport me internetin?
B.F. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. S’kanë më thuajse asnjë lidhje me njëra- tjetrën. Edhe koncepti i gazetarit ka ndryshuar rrënjësisht. Për fat të keq ka shumë ish kolegë të mi që se kuptojnë këtë. Monopoli i informimit nuk është më i disa gazetave apo TV, ai i takon tani gjithë publikut. Kjo ka krijuar shumë kaos, shumë shpërdorim, por padyshim, mbi tw gjitha, një liri të rëndësishme në profesion.
-Kemi vënë re që paralelisht punoni shumë edhe me Instagramin tuaj, si përshembull me “Reels-at”. Mendoni që këto e ndihmojnë njëra-tjetrën?
B.F. Mendoj se janë dy audienca të ndryshme, por padyshim që ndërlidhen. 2 vjet më parë vura se re mosha që më së shumti ndiqte emisionin ishte midis 45 dhe 55 vjeç. Dhe vijonte më tej. Kur nisa të isha më aktiv në instagram, edhe mosha që më ndjek në Tv është ulur midis 25 dhe 35 vjeç. Ky ishte befasimi i parë. Ndërkohë, për arsye të stilit të krijuar në instagram kam ndjekësit e mi. Më qëllon që shumë vetë më pwrmendin thjeshtë postimet e instagramit, madje më shumë se ato të TV. Por siç e thashë në fillim janë dy audienca shumë të ndryshme.
-Me kë e ka ndjerë Blendi rivalitetin më të madh me koleget gra apo burra?
B.F. Me të gjithë. Pa asnjë dallim. Çdo njeri është konkurenti yt. Çdo koleg që ka një hapësirë në të njëjtin orar, ose pak më parë apo më pas është një konkurent i drejtëpërdrejtë. Kam dëgjuar shumë komente, por një gjë jua them me siguri. Konkurenca është çelsi i suksesit për këdo. Pa konkurencë përgjumesh dhe je i vdekur profesionalisht. Kjo është pak por e sigurtë.
-A keni në dorë ndonjë libër të ri?
B.F. Po. Para një jave nisa kapitullin e parë të librit tim të udhëtimeve nëpër botë. E nisa me një rikthim në kohë. Unë, një fëmijë i lindur në vendin më të izoluar të botës në Shqipërinë komuniste, që sot, falë lirisë kam udhëtuar në 146 vende të botës, u ndesha befas me rininë time gjatë një vizitë në Eritrea të Afrikës. Librin e nis aty, kur duke zbritur shkallët e avionit në Asmara mú duk sikur më priste, Blendi 18 vjeçar i rritur në Shqipërinë e izoluar. Besoj do jetë një libër shumë intwresant.
-Keni menduar të shkruani një biografi tuajën?
B.F. Eshtë ende herët, por padyshim. Nëse jeta s’do më rezervojë ndonjë surprizë të papritur, padyshim që do ta shkruaj. Dhe do jetë shumë interesante. Fati e ka dashur të jem dëshmitar në thuajse çdo moment të Shqipërisë së postkomuniste dhe mund të dëshmoj më shumë se kushdo.
-Imazhi juaj është i lidhur fort edhe me udhëtimet, çfarë ju ka mbetur ende pa vizituar dhe çfarë keni në plan të vizitoni këtë vit?
B.F. Shumë. Janë ende në mos gaboj afro 60 e pak vende. Disa prej tyre si ishujt e Oqeanisë janë thjeshtë të pamundur. Të tjerat kanë sfidat e tyre. Këtë vit, dua të mbyll Ugandën, Angolën, Kosta Rikën dhe Bhutanin. Por të shohim. Nuk është asnjëherë e thjeshtë.
-A ju ndjekin vajzat në udhëtimet tuaja (kryesisht Mishel si më e madhe)?
B.F. Misheli po. Me të kam udhëtuar më shumë edhe vetëm ne të dy. Besoj se kanë qenë udhëtime shumë të bukura. E vogla duket më e pasionuar pas udhëtimeve dhe kemi qenë dhe me të në shumë vende të botës. Deri tani edhe ajo ka qenë në 4 kontinente.
-Si do ta përshkruanit Blendin si baba?
B.F. Si çdo baba normal në botë me një dashuri të pakushtëzuar për vajzat.
-Po si bashkëshort?
B.F. Për këtë duhet të pyesni më mirë bashkëshorten time. Ajo mund t’ju japë një përgjigje më të mirë.
-Po si shef?
B.F. Nuk kam qenë kurrë Shef. Kam qenë dhe mbetem një shpirt i lirë, që lirinë e konsideron arritjen më të madhe të jetës.
-Kuriozë jemi të dimë a ka Blendi Fevziu ndonjë ëndërr në sirtar?
B.F. Një njeri që s’ka ëndrra më besoni është një njeri i vdekur. Besoj se është ende herët që të mendoj për vdekjen…