Beteja e miliarderit Johnson kundër plakjes, tani provon “kërpudhat magjike”
Miliarderi amerikan Bryan Johnson, i njohur për projektin e tij ambicioz “Blueprint”, ka kryer së fundmi një eksperiment të ri të diskutueshëm: konsumimin e 4.67 gramëve kërpudha të thata që përmbanin rreth 24.9 mg psilocibinë, që është substanca psikoaktive përgjegjëse për efektet haluçinogjene të kërpudhave “magjike” dhe ndërveprimin e saj me receptorët e serotoninës në tru.
Johnson, i cili njihet për rutinat ekstreme antiplakje, çdo ditë konsumon dhjetëra suplemente, ndjek programe strikte ushqimore e fizike, madje ka kryer edhe transfuzione nga gjaku i djalit të tij. Ai bashkëpunon me rreth 30 mjekë e specialistë që monitorojnë çdo funksion të trupit për të gjetur mënyra që sipas tij, mund të ngadalësojnë plakjen qelizore.
Sipas testimeve të ekipit të tij, 48-vjeçari pretendon se ka arritur të ulë moshën biologjike të disa organeve me deri në 10 vite: zemra e tij është si e një 37-vjeçari, lëkura si e një 28-vjeçari dhe kapaciteti pulmonar në nivelin e një 18-vjeçari. Megjithatë, shumë prej metodave që ai përdor mbeten eksperimentale dhe shpesh konsiderohen kontroverse nga komuniteti shkencor.
Në rrjetet sociale, Johnson ka publikuar foto dhe video nga fazat e ndryshme të aventurës së tij me kërpudhat “magjike”. Sipas tij, kjo eksperiencë ka qenë një lloj rikthimi emocional dhe shqisor në fëmijëri. Ai thotë se psilocibina i ka amplifikuar shqisat, duke e bërë të ndihej sikur perceptonte botën me intensitetin e një personi shumë më të ri.
“Pasi shqisat m’u ringjallën, vëmendja ime kaloi nga perceptimi i thjeshtë i ekzistencës, tek një kuptim më i thellë i saj.” – ka deklaruar Bryan Johnson, i cili ka si qëllim të jetës së tij të sfidojë plakjen.
Johnson ka theksuar se gjithë eksperimenti u zhvillua nën mbikëqyrje mjekësore, në përputhje me kuadrin ligjor dhe me praninë e një facilitatori profesionist. Ai ka shtuar se postimet e tij synojnë të jenë informuese dhe u ka rekomanduar ndjekësve që për çdo përvojë të ngjashme, të konsultohen me mjekun e tyre.
Në shtetet e Bashkuara të Amerikës, psilocibina është e ndaluar të përdoret nga njerëzit, veç në rastet për qëllime terapeutike. Gjithësesi, miliarderi Johnson nuk e ka deklaruar se ku e ka bërë “eksperimentin”.
Ai është shprehur se do ta bëjë këtë trajtim me kërpudhat 1 herë në muaj, për 3 muaj rresht, për të parë më mirë efektet e tyre në shëndet. Ndër benefitet e parashikuara janë ulja e inflamacionit qelizor, përmirësimi i funksionit njohës, shëndetit të zorrëve dhe kënaqësisë seksuale. Studimet e fundit të kryera në Shtetet e Bashkuara, në Kolegjin e Mjekësisë Baylor dhe Universitetin Emory, sugjerojnë që trajtimet me bazë psilocibine mund të zgjasin jetëgjatësinë qelizore dhe të kafshëve.

