Barbara Streisand pendohet për shitjen e një pikture të Gustav Klimt që sot mund të vlente miliona $
Aktorja ikonë e kinematografisë botërore dhe këngëtarja Barbra Streisand ka ndarë publikisht nostalgjinë, por edhe pendesën e saj për shitjen e një prej veprave të Gustav Klimt, që ka zotëruar më shumë se 5 dekada më parë.
Vetëm pak ditë pasi një tjetër pikturë e artistit austriak u shit për 236 milionë dollarë në ankand nga “Sotheby’s”, Streisand 83-vjeçare kujtoi vendimin për të shitur pikturën e saj të Klimt.
Në një postim në profilin e saj në Instagram, Barbara tregoi se asistenti i saj i vjetër i kishte përgatitur një album me veprat e artit që ajo kishte dashur dhe më pas kishte shitur. Mes tyre ishte edhe “Miss Ria Munk on her Deathbed”, një pikturë që ajo e kishte blerë në vitin 1969 për 17.000 dollarë, një shumë që asokohe i ishte dukur tejet e lartë.
“E shita në vitin 1998 sepse fillova të interesohem për Frank Lloyd Wright dhe lëvizjen “Arts & Crafts”. Ah, sa pendohem që e shita!” – shkroi Barbara, duke ironizuar me këtë afakt, pasi citoi titullin e librit të njohur “Nuk duhet të shesësh kurrë artin që e dashuron”.
Ndërkohë, vetëm dy ditë para këtij postimi, “Sotheby’s” shiti “Portrait of Elisabeth Lederer” të Klimt për 236 milionë dollarë, duke e bërë veprën e dytë më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në ankand, sipas informacionit të ARTnews, “The New York Times” dhe BBC.
Piktura ka qenë në pronësi të Leonard A. Lauder, miliarderit të ndjerë dhe koleksionistit të njohur të artit, i cili zotëronte edhe vepra të Picasso, Matisse dhe Munch. Për shumë vite, ajo ka qenë e huazuar në Galerinë Kombëtare të Kanadasë, e cila në faqen e saj përshkruan veprën si një pikturë mbresëlënëse, që pasqyron elegancën dhe fuqinë e shoqërisë së lartë vjeneze në fillim të shekullit XX. Në sfondin e këtij suksesi të ri rekord për Klimt, artistja Barbara Streisand nuk mund të mos e çojë ndërmend vendimin e saj të para shumë viteve, me nostalgji, pendesë dhe me një mësim të mirë: artin që dashuron mbaje, mos e shit, vetëm nëse shifra është e parefuzueshme.

