Apple kërkon ndihmën e Google për të fuqizuar Siri-n! Gati marrëveshja miliarda dollarëshe…
Kompanitë Apple dhe Google janë afër një marrëveshjeje miliarda dollarëshe që do t’i shohë dy gjigandët e teknologjisë të ndërtojnë një model të personalizuar Gemini AI, për të fuqizuar Siri-n brenda vitit të ardhshëm.
Sipas raportimit të “Bloomberg”, pasi Apple eksploroi mundësi të tjera për të forcuar Siri-n, si ChatGPT të OpenAI apo Claude të Anthropic, kompania vendosi për Gemini pas një testimi të teknologjisë së Google.
Sistemi i ardhshëm Gemini do të bëjë që Inteligjenca Artificiale aktuale e Apple të duket “një fëmijë” për sa i përket aftësisë, pasi modeli i Google do të përdorë 1.2 trilionë parametra (njësi matëse që përpunojnë informacion dhe u përgjigjen pyetjeve), krahasuar me modelin aktual të Apple Intelligence i cili përdor vetëm 150 miliardë të tilla.
Sipas marrëveshjes, Apple do t’i paguajë Google 1 miliard dollarë në vit për të përdorur teknologjinë e kompanisë, me Gemini që do të fuqizojë kryesisht funksionet e përmbledhjes dhe planifikimit shumëhapësh të Siri-t. Gjithësesi, disa veçori të Siri-t do të përdorin ende modelet e brendshme të inteligjencës së Apple. Për Apple, pranimi i këtij hapi tregon se mbetet shumë prapa në garën e Inteligjencës Artificiale. Por, ndërsa marrëveshja me Google me siguri do ta ndihmojë atë të ofrojë disa nga veçoritë e premtuara prej kohësh të Siri-t, kompania nuk e sheh Gemini si një zgjidhje afatgjatë. Ajo shpreson që në të ardhmen ta zëvendësojë Google me modelet e veta të brendshme, pas zhvillimit të mëtejshëm.

CEO i “Apple” Tim Cook dhe CEO i “Google” Sundar Pichai