Aktori Morgan Freeman kundër Inteligjencës Artificiale: Po më vjedh zërin!
Aktori Morgan Freeman, përveçse është një ikonë e kinematografisë botërore, ka dhe një zë unik.
Pikërisht në raport me zërin e tij të veçantë, ai është i mërzitur ndaj inteligjencës artificiale dhe ndaj atyre që e përdorin atë për të kopjuar zërin e tij.
Në një intervistë të dhënë së fundmi rreth filmit të tij të ri por edhe për karrierën e gjatë, 88-vjeçari është shprehur se zërat me inteligjencë artificiale e kanë kaluar kufirin. Sipas Freeman, kjo mënyrë po “vjedh” punën e njerëzve të vërtetë dhe po përdoret pa leje.
“Unë jam pak a shumë si aktorët e tjerë: mos më imito me falsitetin. Nuk e vlerësoj dot. Unë paguhem për të bërë një gjë të tillë, kështu që nëse ti e bën pa mua, atëherë je duke më vjedhur.” – ka thënë aktori i famshëm i Hollywoodit.
“Mund të them që avokatët e mi janë shumë të zënë. Ata kanë identifikuar disa raste që po përdoret zëri im dhe po i ndjekin si çështje.” – ka thënë Freeman, për ata që përdorin inteligjencën artificiale për të imituar zërin e aktorit.
Ai gjithashtu është shprehur edhe kundër idesë së performuesve të krijuar tërësisht nga Inteligjenca artificiale, si Tilly Norwood. 88-vjeçari është i mendimit se raste të tilla po lënë pa punë profesionistë realë, edhe pse thotë se në fakt rruga e këtij versioni joorigjinal nuk është e gjatë, pasi në filma dhe në televizion nuk mund të funksionojnë. Kujtojmë se zëri unik i Morgan Freeman kërkohet nga shumë kompani të industrive të ndryshme për reklama, dokumentarë etj., gjë për të cilën ai paguhet shumë, e sigurisht që përdorimi pa leje dhe pa shpërblim nga të tjerë nëpërmjet Inteligjencës Artificiale i shkakton atij dëm, minimalisht monetar.