“Dua t’u zgjas jetën gjyshërve në mbarë botën” – Ëndrra e 15-vjeçarit që mori doktoraturën në Fizikë Kuantike
Laurent Simons ishte vetëm 11 vjeç kur u diplomua për herë të parë në vitin 2021.
Sot, “Ajnshtajni i vogël i Belgjikës”, siç cilësohet nga shumë njerëz, ka mbaruar doktoraturën për Fizikë Kuantike në kohë rekord në moshën 15-vjeçare, duke u shndërruar në më të voglin në moshë që merr një doktoraturë të tillë në këtë fushë.
Laurent gjithësesi është mësuar të thyejë rekorde: bëjmë me dije se kur ishte 11 vjeç ai mbylli 3 vite studimi në Universitetin e Anversës në vetëm 18 muaj. Që prej atëherë emri i djaloshit bëri xhiron e botës, duke arritur edhe në zyrat e gjigandëve të teknologjisë në SHBA dhe Kinë, të cilët po përpiqen ta bëjnë atë për vete për ta pasur në laboratorët e tyre shkencorë.
“Dua të kombinoj disiplinat e mia të studimit që të mund të arrij të zgjas jetën e njerëzve.” – është shprehur në një intervistë Simons, edhe pse prindërit e tij për momentin “hezitojnë” ta lënë plotësisht të lirë të ndjekë rrugën e tij, pa mbikqyrjen e tyre nga afër.
Sipas të dhënave që shpërndajnë mediat lokale, Laurent ka një koeficient të inteligjenës të barabartë me 145, një rezultat sa vetëm 0,1% e gjithë botës.
Është pikërisht kjo “aftësi” e tij çka i ka lejuar t’i kalojë etapat e shkollimit shumë më shpejt se të tjerët. Gjithësesi, pavarësisht kësaj Simons mbetet një fëmijë, me pasionet e tij dhe ëndrrat e mëdha. Ashtu siç babai i tij e ka shprehur në një intervistë pak vite më parë, ka 2 Laurent: një është shkencëtar, ndërsa tjetri fëmijë.
“Jam ende një minoren. Janë prindërit e mi ata që do të marrin vendimet e rëndësishme.” – është shprehur vet shkencëtari i vogël, në kohën kur ofertat nga kompanitë e mëdha të teknologjisë ishin të shumta në derën e familjes.
Por pavarësisht moshës ende të re, Laurent i ka disa ide shumë të qarta për atë çka do të bëjë kur të rritet: të shfrytëzojë sa më shumë inteligjencën e tij për të zgjatur jetën e njeriut. “Jam i interesuar për pavdeksinë pasi gjyshërit e mi vuajnë nga sëmundje kardiake. Kështu unë dua të ndihmoj edhe të gjithë fëmijët e tjerë duke bërë të mundur që të mos i humbin ata.” – shprehet 15-vjeçari në një intervistë të dhënë për gazetaren gjeorgjiane Nini Barbaqadze.
