Gëzim dhe fishkëllima për Granit Xhakën! I zhgënjyer që i ndodhi në Kosovë, në “shtëpinë e tij”…
Në ndeshjen e fundit të grupit B për kualifikueset e Kampionatit Botëror që do të luhet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë e Kanada, kombëtarja e Kosovës ka marrë një barazim 1-1 përballë vendit të parë, Zvicrës.
E ndërsa kombëtarja e Zvicrës është kualifikuar direkt për në fazën finale të Botërorit të 2026-ës, Kosova ka arritur një rezultat historik, atë “play-off”, për të cilin kundërshtarin do ta mësojë në shortin që do të hidhet ditën e nesërme në Nyon të Zvicrës.
Po krahas rezultatit pozitiv të mbrëmjes së djeshme, ndeshja e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” të Kosovës u karaktërizua nga diskutime për mënyrën se si u trajtua nga disa tifozë, futbollisti shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka.
Ai për shumë gjatë u fishkëllye sa herë prekte topin, çka i ka bërë shumë përshtypje. Thuhet se kanë qenë disa deklarata të vet Xhakës në një intervistë të dhënë së fundmi, rreth lojtarëve kosovarë që kanë zgjedhur të luajnë për Kosovën e jo për Zvicrën, çka ka mërzitur ndjekësit e futbollit.
“Jam shumë i befasuar, është gjëja e fundit që kam pritur, posaçërisht këtu në shtëpi. Të them të drejtën kjo më dhemb, por duhet ta pranoj dhe të përqendrohem te futbolli!” – raportohet të ketë thënë i zhgënjyer futbollisti i Sunderland, për mediat zvicerane.
Xhaka gjithashtu u pa duke diskutuar në fund të ndeshjes edhe me një nga tifozët prezentë në shkallët e stadiumit, që mësohet të jetë Lulzim Berisha, drejtues i tifogrupit të famshëm “Dardanët”. Pavarësisht se në distancë dukej si një debat i ndezur mes të dyve, ka qenë babai i futbollistit, Ragip Xhaka ai që ka treguar se situata ka qenë ndryshe.
“Nuk ka pasur asnjë diskutim me Lulin. Ai ka ardhur dhe i ka kërkuar falje Granitit dhe neve për të gjithë ata që kanë fishkëllyer.” – janë fjalët e babait të kapitenit Xhaka, sipas Klan Kosova.
Gjithashtu, ai është shprehur se drejtuesi i tifogrupit ka thënë se fishkëllimat nuk kanë ardhur prej tyre, por nga një pjesë e panjohur e tifozëve në stadium.
