Aktorja Sadie Sink gati për hapin e madh, nga “Stranger Things” te superheronjtë e “Avengers”…
Emocionet e fansave të Marvel dhe e të gjithë atyre që dashurojnë filmat me superheronj dallohen qartë nëpër rrjet, pasi prej kohësh është bërë publike se do të dalin në kinema filmat e radhës “Avengers: Secret Wars” dhe “Avengers: Doomsday”.
E për ta mbajtur sa më të gjallë kuriozitetin e fansave anembanë botës, producentët kanë bërë gjithçka për të parandaluar rrjedhjen e informacioneve apo të ndonjë imazhi nga prodhimet që do të vijnë. Mund të jetë pikërisht edhe kjo arsyeja që ende nuk dimë se cili do të jetë roli i aktores së serialit “Stranger Things” Sadie Sink, në filmin “Spider-Man: Brand New Day”.
E ndërkohë që kjo gjë mbetet ende mister, është zbuluar se aktorja amerikane i është bashkuar kastit të “Avengers: Secret Wars” dhe do të xhirojë për të në vitin 2026, në Londër.
“Spider-Man: Brand New Day” do të dalë në kinema në korrik të vitit 2026. Ka shumë spekulime për rolin e Sadie në këtë film dhe fatkeqësisht unë nuk e kam përgjigjen e saktë. Ama ajo që di është që ajo do t’i bashkohet kastit të Avengers për xhirimet në Londër në vitin 2026.” – shprehet burimi.
Informacionet flasin se aktorja që luan “Max” te “Stranger Things” do të jetë në filmin “e radhës” me superheronj. Duke menduar se në fakt “Avengers: Doomsday” i ka mbyllur xhirimet, atëherë nuk mbetet veçse të mendohet që ajo do të jetë pjesë e “Avengers: Secret Wars”, që do të dalë në kinema në vitin 2027.
Por para se Sadie Sink të bëjë debutimin e madh në filmat e Marvel, kujtojmë se vetëm pak ditë na ndajnë nga sezoni i fundit i “Strangers Things”, në Netflix.
