Studim – Ja arsyeja e vërtetë se përse nuk kemi rënë ende në kontakt me alienët
Ekziston një pyetje që ngacmon mendjen e shkencëtarëve dhe shumë njerëzve kuriozë në mbarë botën: Çfarë do të ndodhte nëse do të binim në kontakt me një specie aliene? Kjo gjë komplikohet edhe më shumë nëse i referohemi paradoksit të Enrico Fermit: Nëse universi vërtetë është i mbushur me civilizime të zhvilluara, ku janë ato që nuk i kemi ndeshur ende?
Teoritë janë të shumta, por një studim i publikuar së fundmi prezanton një arsye interesante.
Revista “Scientific Reports” ka publikuar studimin e shkencëtarëve J. Stern dhe V. Gerya, të cilët pretendojnë se për të bërë të mundur që një shoqëri të komunikojë me një tjetër larg saj, planeti në të cilin ata jetojnë duhet të ketë një karakteristikë të veçantë: tektonikën e pllakave. Kjo cilësi e bën akoma më shumë të pamundur kontaktin e njerëzimit me civilizimet aliene.
Ky studim titullohet “Rëndësia e kontinenteve, i oqeaneve dhe i tektonikës së pllakave për evolucionin e jetës komplekse: implikime për kërkimin e civilizimeve jashtëtokësore.” Po çfarë tregon studimi?
Në planetin tonë, evolucioni i jetës ka ardhur edhe si rrjedhojë e aktivitetit gjeologjik që ka ndarë e ka bashkuar kontinente, ka ndryshuar habitate dhe ka detyruar specie që të evoluojnë me shpejtësi në mënyrë që të përshtaten vazhdimisht.
Sipas studiuesve, prezenca e një aktiviteti të tillë mund të lidhet drejtpërdrejt me atë që astronomët e quajnë Ekuacioni Drake, një formulë që përdoret për të kalkuluar se sa civilizime të avancuara në gjendje që të komunikojnë, mund të gjenden brenda një galaksie.
Kjo formulë merr në konsideratë disa faktorë, nga numri i planeteve që rrotullohen rreth diejve të galaksisë, te planetet që shfaqin kushtet e nevojshme për t’u krijuar jeta, si dhe kushti i prezencës së një aktiviteti të fortë tektonik. Bazuar në këto të dhëna, numri i civilizimeve të avancuara në univers mund të mos jetë shumë i madh.
“Mund të jetë një numër i vogël. Ndoshta 4 galaksi nga 10.000 mund të kenë civilizim të vërtetë.” – shprehet studiuesi V. Gerya.
Gjithësesi, ai shton se në galaksi që mund të ketë civilizim, ato mund të jenë më shumë se 1 dhe të avancuara. Por siç shkruan Mark Kaufman, të arrish të kapësh një sinjal alien është njësoj si të fitosh llotarinë. Kjo, pasi planeti nga i cili vjen sinjali nuk duhet thjesht të jetë i përshtatshëm për të mbështetur jetën, por duhet që speciet atje të jenë mjaftueshëm të zhvilluara që të mund të dërgojnë sinjale jashtë sistemit të tyre diellor.