UNESCO, gati të vlerësojë kuzhinën italiane si “trashëgimi kulturore jomateriale e njerëzimit”
UNESCO ka shprehur mendimin e parë pozitiv përsa i përket kandidaturës së kuzhinës italiane si “trashëgimi kulturore jomateriale e njerëzimit”.
Kjo hapje teknike e bisedimeve përfaqëson një hap shumë të rëndësishëm drejt regjistrimit zyrtar në listën e pasurive jomateriale, pasi kuzhina italiane është ndër të mirat që duhen vlerësuar e për të cilën duhet përkujdesje në nivel global. Pritet që ky lajm i mirë për Italinë të zyrtarizohet mes datave 8-13 dhjetor të këtij viti, në New Delhi.
Ekspertët ndërkombëtarë të UNESCO-s kanë shprehur vlerësim pozitiv për dosjen e prezantuar nga shteti italian, duke njohur kështu vlerat e identitetit, ato sociale, kulturore dhe gastronomike italiane.
“Vlerësimi i parë teknik na thotë që dosja e hartuar prej nesh është koherente me objektivat e UNESCO-s. Gjithësesi duhet të mos krijojmë shumë iluzione nga përgjigja e parë, pasi do të jetë Komiteti Ndërqeveritar që do të mblidhet në Indi në muajin e ardhshëm ai që do të vlerësojë përfundimisht dosjen.” – shprehet Pier Luigi Petrillo, hartuesi i kandidaturës.
Nëse në dhjetor vendoset përfundimisht në favor të kuzhinës italiane, ajo do të jetë kuzhina e parë në botë që do të titullin e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit.
Në seancën që do të mbahet në Indi, ndër “kandidatët” janë edhe Yodel-i zvicerian, Son-i kubanez, origamit japoneze, vera ëmbëlsirë e Qipros etj.
Bëjmë me dije se Italia sot është vendi i parë në botë me më shumë pasuri kulturore të regjistruara në UNESCO. Përsa i përket atyre jomateriale, e regjistruar është “dieta mesdhetare”, e njohur në vitin 2010 si modeli ushqyes i qëndrueshëm dhe simbol i ekuilibrit të njeriut me natyrën, si dhe arti i picierëve napoletanë, e regjistruar në vitin 2017.
Pjesë e trashëgiminë jokulturore të UNESCO-s është edhe vakti gastronomik i kuzhinës franceze, kuzhina tradicionale meksikane, kultura e “kimchit” korean, kuzhina japoneze washoku, si dhe arti i bukës turke pa maja.
Të gjitha këto janë vlerësuar për aftësinë e tyre për të përfaqësuar memorien kolektive dhe vlerën shoqërore të ushqimit.Ndryshe nga sa listuam më sipër që flasin për merita specifike, në rast konfirmimi, kandidatura italiane do të bënte njohjen e të gjithë sistemit të kuzhinës italiane, si një tërësi e praktikave, njohjeve, biodiversitetit, bashkëjetesës dhe identitetit të përbashkët.