Njihuni me “Biohub”, eksperimentin e Mark Zuckerberg për të eliminuar sëmundjet njerëzore
“Basti” i fundit i madh i Mark Zuckerberg quhet “Biohub”. Nuk është një kompani teknologjie e as një fondacion kërkimi, por nje rrjet laboratorësh që synon të eliminojë përgjithmonë sëmundjet e njerëzve.
Ky projekt do të përdorë inteligjencën artificiale për të kuptuar tërësisht funksionimin e qelizave e kështu për të parandaluar simptomat para se ato të shfaqen.
“Kur e nisëm këtë projekt donim të ndihmonim shkencëtarët të shëronin apo të parandalonin të gjitha sëmundjet e mundshme brenda këtij shekulli. Sot, falë inteligjencës artificiale besojmë se mund t’ia arrijmë qëllimit edhe më shpejt se kaq.” – ka deklaruar me optimizëm drejtuesi i kompanisë “Meta”.
“Biohub” nuk është thjesht një rrjet laboratorësh, por një formë e re e filantropisë shkencore, që investon në teknologji si mjetin primar për të përmirësuar njerëzimin. Sigurisht që kjo është një metodë e shpejtë, optimiste, që thuajse luan rolin e Zotit, ama ngre dhe shumë pikëpyetje pikërisht në aspektin etik dhe kultural.
“Biohub” ka bërë një marrëveshje me “EvolutionaryScale”, një shoqëri të specializuar në inteligjencën artificiale të aplikuar në biologjinë molekulare, për të bërë të mundur përshpejtimin radikal të progresit shkencor në njohjen dhe parandalimine sëmundjeve njerëzore.
Programi i “Biohub” parashikon ndërtimin e një infrastrukture kalkulimi gjigande: brenda vitit 2028 duhet të kenë në dispozicion rreth 10 mijë kompjutera që përllogarisin modelet qelizore. Objektivi nuk është thjesht të analizojnë të dhënat, por krijimi i një “binjaku digjital” të qelizës njerëzore. Kështu do të bëhet e mundur që falë këtij modeli të paraprihet se si qeliza reagon ndaj një virusi, ndaj një ilaçi apo ndaj një mutacioni gjenetik. “Me progresin e arritur në këto lloj sistemesh, besojmë se mund bëjmë në pak muaj, zbulime që do të kërkonin dhjetëra vite punë.” – deklaron “Biohub”.