Erion Veliaj “rikthehet” të jetë Kryetar i Bashkisë Tiranë, e thotë Gjykata Kushtetuese!
Vetëm para pak minutash Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për kërkesën e paraqitur nga ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke e pranuar atë plotësisht dhe duke e rikthyer në detyrë. Me këtë vendim rrëzohet vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt nga posti i Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Sipas raportimeve nga gazetarët e terrenit, vendimi është marrë me 5 vota pro dhe 3 kundër.
Veliaj kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 25 shtator 2025, të cilin e konsideroi në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe rrëzimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj që caktonte datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese pak ditë më parë, Veliaj deklaroi se përballej me një proces të padrejtë dhe me një situatë që, sipas tij cënonte të drejtat themelore dhe vullnetin e qytetarëve që e kishin zgjedhur.
“Jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe jam mbajtur në një regjim më të ashpër se vrasësit serialë. Sot kam më shumë policë rreth vetes sesa avokatë,” – tha Veliaj në seancë.
Ai shtoi se periudha e fundit ka qenë e mbushur me shkelje të të drejtave të tij dhe me një fushatë denigrimi ndaj figurës së tij, duke theksuar se është zgjedhur tri herë radhazi nga qytetarët e Tiranës.
“Kjo që po ndodh është përçmim ndaj votës dhe ndaj vetë demokracisë. Askush nuk ka të drejtë t’i ndërpresë mandatin një të zgjedhuri, përveçse kur provohen shkelje të rënda ligjore,” – tha ndër të tjera Veliaj.
Në përfundim, ai theksoi se beteja e tij nuk ishte personale, por një përpjekje për të mbrojtur parimet demokratike dhe vullnetin e qytetarëve. Mesa duket, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar të drejtën në kërkesën dhe fjalët e Veliajt, duke e rikthyer atë në detyrë, edhe pse në një situatë krejtësisht anormale, duke qenë se Erion Veliaj vazhdon të qëndrojë në paraburgimin e qytetit të Durrësit, deri sa të merret një vendim për akuzat ndaj tij.