Thirrja e Billie Eilish për miliarderët: Jepni para për bamirësi, mos i mbani vetëm për vete!
Këngëtarja Billie Eilish ka bërë një thirrje kurajoze kundrejt miliarderëve, teksa ishte pjesë e një eventi në mesin e kësaj jave.
23-vjeçarja mori çmimin vlerësues “Music Innovator Award” dhe gjatë ceremonisë u zbulua se nëpërmjet donacioneve ajo kishte arritur të mblidhte më shumë se 11.5 milionë dollarë gjatë turit të saj “Hit me Hard and Soft”.
Të gjitha fitimet do të shkojnë për iniciativën bamirëse “The Changemaker program”, e cila suporton organizatat në mbarë botën që identifikojnë ku ka probleme me ushqimin apo problematika të klimës.
Këngëtarja amerikane e përdori kohën e saj teksa pranonte çmimin, si një mundësi për t’u bërë thirrje të gjithë të pranishmëve që të tregojnë empati dhe të mund të bëjnë më shumë të mira me paratë e tyre. Prezentë në ceremoni ishin edhe Mark Zuckerberg i kompanisë “Meta” dhe bashkëshortja e tij.
“Jetojmë në një kohë kur situata në mbarë botën është shumë keq, e errët dhe njerëzit duhet të kenë empati për të ndihmuar të tjerët. Nëse ke shumë para, do të ishte mirë t’i përdorje në mënyrën e duhur dhe t’i jepje atyre që kanë nevojë. Ju dua shumë, por këtu ka disa njerëz shumë më të pasur se une: nëse jeni miliarderë, atëherë pse jeni të tillë? Pa qëllim të keq, por jepuni ca para të tjerëve!” – e përfundon thirrjen e saj të guximshme Billie, duke marrë kështu edhe duartrokitjen e personave prezentë.
Sipas asaj që shkruan “People”, në fakt Mark Zuckerberg ishte ndër ata (në mos i vetmi) që nuk duartrokiti pas fjalimit të artistes.
Krahas Billiet, edhe bashkëshortja e Mark, Priscilla Chan u vlerësua me një çmim të ngjashëm, por në filantropinë shkencore.
Nuk jemi të sigurt nëse Eilish e bëri thirrjen drejtpërdrejt për miliarderin e kompanisë “Meta” apo po fliste në përgjithësi, ama ndoshta këngëtarja nuk ka qenë në dijeni që Mark dhe bashkëshortja kanë bërë gjithnjë bamirësi, madje ata janë shprehur se rreth 99% të aksioneve të kompanisë do ta dhurojnë një ditë.
