Sorry, no posts matched your criteria.

U pezullua për dyshimet mbi gjininë, volejbollistja: Nuk kam fjetur, nuk kam ngrënë, nuk kam pirë as ujë…

Vetëm pak ditë më parë, në mediat sportive dhe jo vetëm u përhap lajmi se Federata Shqiptare e Volejbollit kishte pezulluar volejbollisten braziliane Nayara Ferreira të klubit të Dinamos, mbi dyshimet e ngritura për gjininë e saj.

Pas denoncimeve të disa prej klubeve shqiptare, ishte vet federata që me një deklaratë, tregoi se kishte pezulluar volejbollisten dhe se pasi të dilnin rezultatet e testit të kërkuar, do të informonte sërish publikun.

Por si u përjetua kjo gjë e padëgjuar më parë në sportin shqiptar nga vet personi i prekur? Çfarë ka menduar e ka ndjerë Nayara gjithë këto ditë që ka qenë e izoluar pikërisht prej shokut të pësuar?

Ajo ka dhënë një intervistë për gazetarin Endi Tufa në Top Channel, ku në gjuhën portugeze, me të cilën është ndjerë më lirshëm të shpjegojë më mirë çka ndjen, rrëfen se po kalon një situatë shumë të vështirë.

“Jam larg familjes dhe më duhet ta përballoj këtë situatë e vetme, pa përkrahjen e tyre, pa i pasur pranë njerëzit që dua. Është shumë e vështirë për mua ta përjetoj gjithë këtë. Ajo që po ndodh tani me mua është diskriminim. Nuk e pranoj këtë. Nuk më kanë kthyer përgjigje dhe nuk më kanë dhënë asnjë arsye ligjore pse e bënë këtë. Ata thjesht e bënë. Kur pyeta një zyrtar të federatës – nuk e di as kush ishte – më tha se “është dokument privat dhe nuk mund të ta tregoj”. I thashë: “Ah, qenka private? Çfarë është private për ty në lidhje me jetën time? Pse?” – ka thënë volejbollistja me lot në sy, teksa i ka shpjeguar gazetarit Tufa se kjo situatë e bën të ndihet e shkatërruar.

“Jam 100% femër, dhe kjo është diçka që nuk kam pse ta shpjegoj. Nuk është e nevojshme t’ju them se jam femër, që kam lindur femër. Ju vetëm keni vënë re si vishem, sa të gjatë i kam flokët, fizikun tim, nëse kam muskuj apo tatuazhe. Vetëm kaq. Ajo që keni bërë është diskriminim. Dhe mendoj se kush diskriminon dikë, e ka të vështirë të flejë i qetë. Kjo është çnjerëzore dhe e papranueshme. Nuk e di si mund të flejë presidenti juaj i federatës në një situatë të tillë. Si mund të flejë ai me këtë në ndërgjegje? Kjo është pyetja ime.” – shton më tej Nayara, së cilës i duket absurd fakti që i duhet të përsërisë disa herë të tregojë diçka që në fakt nuk ka pse ta shpjegojë, thjesht mbi dyshimet pa fakte të ngritura nga skuadrat e tjera, bazuar vetëm në aspektin e saj fizik.

“Nuk kam fjetur, nuk kam ngrënë, nuk kam pirë as ujë. Kështu është jeta ime tani. Prandaj, faleminderit Federatës Shqiptare që ma bëtë këtë. Shumë faleminderit!” – shton me ironi volejbollistja e klubit të Dinamos, që ka nisur të luajë volejboll që në moshën 12-vjeçare.

Pavarësisht zhgënjimit dhe lëndimit të saj të madh, fjalëve mbështetëse të gazetarit Tufa se pjesa më e madhe e opinionit publik e mbështet në betejën e saj, Ferreira i përgjigjet me pozitivitet. Ajo rrëfen se ka afër njerëz që po e ndihmojnë të kalojë këtë situatë, por ajo çka do vërtetë tani është rezultati zyrtar i analizave, e për këtë nuk ka aspak frikë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com