Studim: Gjendet lidhja mes personave “të ndjeshëm” dhe vuajtjes nga ankthi e depresioni
Të qenurit një person i ndjeshëm rrit mundësinë për të vuajtur nga ankthi dhe depresioni, ama veç kësaj krijon predispozitat për të marrë më të mirën nga eksperiencat pozitive.
Ky është konkluzioni në të cilin ka arritur studimi që ka analizuar lidhjen mes ndjeshmërisë dhe shqetësimeve të ankthit apo ndryshimit të humorit.
Sipas autorëve të studimit, disa aspekte karakteristike të ndjeshmërisë si thellësia e elaborimit të gjërave apo tendenca për t’iu përgjigjur me emotivitet më të lartë stimujve, mund të çojnë në përjetimin e ankthit pasi krijohet tendenca për të parashikuar skenarët se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Sa i përket rrezikut më të lartë të depresionit, kjo varet përgjithësisht nga faktorët negativë ambientalë dhe cilësisë së tyre, si kontekstet stresuese apo aspak të favorshme nga ana emotive.
Analiza e plotë është publikuar në revistën “Clinical Psychological Science”, që ka marrë në konsideratë 33 studime të kryera në 16 vende të ndryshme të botës, të cilat kanë përfshirë plot 12.600 persona të moshës mesatare 25 vjeç.
Ashtu siç e shpjegojnë studiuesit, shpesh ndjeshmëria lihet në hije kur flitet për studimet e shëndetit mendor apo në praktikat klinike, të cilat kanë tendencën të përqëndrohen te neuroticizmi dhe lidhja e saj me problemet mendore.
“Rezultatet tona sugjerojnë që ndjeshmëria duhet të konsiderohet më shumë në praktikat klinike, në mënyrë që të përdoret në përmirësimin e diagnostifikimit të patologjive.” – shprehet psikoterapeuti Tom Falkenstein, nga Univeriteti Queen Mary i Londrës.
Gjithësesi, analizat kanë treguar edhe se ndjeshmëria e tepërt ndikon gjithashtu që të rritet probabiliteti për të marrë më të mirën nga eksperiencat pozitive, duke reaguar më mirë ndaj ndërhyrjeve psikologjike, në raport me personat më pak të ndjeshëm.
Këto rezultate dëshmojnë se cilësia e ambientit në të cilin jetojnë personat e ndjeshëm është një faktor kyç për shëndetin e tyre mendor dhe për cilësine e jetës.